/Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich/
Kur mërgimtari është afër udhëtimit për në atdhe, ai nuk mund të flejë natën para nisjes. Çdo natë bëhet e gjatë, dhe mendimet për vendin e tij të lindjes e pushtojnë krejtësisht. Nuk është thjesht një udhëtim fizik; është një rrugëtim shpirtëror, një kthim te rrënjët, tek ato kujtime që e formuan si person dhe që e bëjnë të ndihet gjithmonë i lidhur me vendin e tij të lindjes. Ky është një udhëtim për t’u përqafuar me vendin e të parëve, për të ndjerë aromën e njohur të tokës që ka dhënë shumë për të, por që gjithmonë është e gatshme të eklipsojë çdo tjetër vend.
Për mërgimtarët, çdo kthim në atdhe është një ndjesi që nuk ka të krahasuar. Përveç pushimeve të zakonshme, për ata është më shumë se kaq: është mundësia për të rifituar një pjesë të jetës që kanë lënë pas, për të takuar të afërmit dhe miqtë, për të përcjellë ato emocione që nuk mund të përshkruhen lehtë me fjalë. Gjatë gjithë vitit, ata presin me padurim Pashkët, Krishtlindjet, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, pastaj verën, çdo mundësi që t’u mundësohet të kthehen në vendlindje. Muaj përpara, ata bëjnë plane, përgatiten për çdo gjë, ndërsa emocionet përfshijnë çdo minutë të pritjes.
Dhe nuk është vetëm dëshira për të shkuar, por edhe përvoja e kthimit që e bën këtë udhëtim të veçantë. Ka ndjenja që janë të fshehura në zemrat e atyre që kanë lënë mërgimin pas: mallin për familjen, për tokën, për ajrin dhe kujtimin që vetëm aty mund të ndihen dhe dëgjohen. Edhe kur mërgimtari është në mërgim, ai është gjithmonë i lidhur me vendin e tij të lindjes dhe këtë lidhje nuk mund ta shkatërrojë as koha, as distanca.
Për më tepër, është bërë më e lehtë të udhëtosh tani se sa ka qenë dikur. Aeroportet e Cyrihut dhe të Bazelit janë gjithnjë e më të mbushura me mërgimtarë që po udhëtojnë drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Avionët ngrihen çdo ditë për në Prishtinë dhe Shkup, dhe udhëtarë ka përplot. Ndërsa mund të shkojnë dhe të kthehen në të njëjtën ditë, malli dhe nostalgjia mbeten të pandryshuara. Çdo udhëtim është një ndjenjë që e përjetojnë të gjithë ata që kanë lënë pas vendin e të parëve dhe që po kthehen për të përjetuar të njëjtën dashuri dhe shpresë që ata kanë pasur gjithmonë.
Zvicra ka strehuar mbi 400,000 shqiptarë, dhe mërgata jonë ka kontribuar në këtë vend që tashmë është bërë shtëpia e dytë për shumë prej tyre. Ata janë të gatshëm të kontribuojnë dhe të ndihmojnë shtetin mik, Zvicrën, që ka ofruar mundësi, mbështetje dhe mikpritje. Gjenerata e parë e mërgimtarëve ka ndihmuar ndërtimin e kësaj shoqërie, dhe tani, gjeneratat e dytë dhe të treta janë të angazhuara gjithashtu për t’i dhënë gjithçka këtij vendi e mbi të gjitha jetën, kohën, rininë, njejt si prindërit e tyre. Më shumë në kurbet se sa në atdhe!
Por, asnjëherë nuk ka lehtësuar ndjesia e mallit për atdheun. Mërgimtari, edhe në momentin kur mbërrin në vendlindje, ka një ndjenjë të thellë dhe të pashembullt të përsëritjes së ndjenjave të para.
Edhe për ata që kanë humbur të dashurit e tyre, vizitat në varrezat e familjarëve janë më shumë se një ritual – ato janë mundësia për të lidhur botën shpirtërore me atë fizike, për të kërkuar paqe dhe të qetësohen.
Ka shumë mërgimtarë që udhëtojnë drejt varreve të të afërmve, gjithmonë me lot në sy, për të lutur dhe për të kujtuar ata që nuk janë më. Ato varre janë një kujtim i përjetshëm, një lidhje që nuk mund të shuhen nga koha dhe largësia. Shpesh, ndjehen si të huaj edhe atje, dhe po ashtu, shpesh i ndjejnë të huaj edhe këtu. Një ndjenjë e tillë është më shumë se një trishtim, është një pjesë e jetës që e formon çdo mërgimtar.
Kur mërgimtari largohet nga atdheu është përsëri me lotë në sy. Ato janë lotë malli, lotë për familjen, për të dashurit, për tokën që ai ka lënë pas. Të udhëtosh për në atdhe është një udhëtim shpirtëror që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Ai është një udhëtim që mbush zemrën dhe i jep kuptim çdo hapësire të jetës. E tani, po afrohen pushimet për festën e Pashkëve! Pushime të mbara! Deri atëherë, sigurisht se do të kemi edhe shkrime të tjera për festën dhe për udhëtimet e juaja. Ju mirëpresim edhe përshkrime nga ana juaj, ashtu siç dini e ndjeheni ju, do të ishin shumë të mirëpritura për ne, por besoj edhe për të gjithë lexuesit. Fjala e lirë është e garantuar te SAM24.info.