Nga Dashnim HEBIBI
Zürich-Prishtinë, 12 tetor, 2025 – Shumë bashkatdhetarë që udhëtuan në Kosovë për të votuar në zgjedhjet lokale po kthehen sonte në Zvicër, përmes aeroporteve të Prishtinës dhe Shkupit për në Cyrih dhe Bazel. Sipas burimeve tona, disa prej tyre do të kthehen nesër nga aeroporti i Shkupit dhe Prishtinës dhe i Tiranës për në Milano, në mënyrë që të mos humbasin ditën e punës, pasi java e re nis të hënën.

Selami Huruglica, një bashkatdhetar që jeton në rrethinën e Luzernit, një atdhetar e bëmirës i njohur, udhëtoi posaçërisht në Kosovë për të dhënë votën e tij. Nga aeroporti i Prishtinës, pak para nisjes së fluturimit për në Basel, ai tha se aeroplani është i mbushur me mërgimtarë, ashtu si edhe ai për në Cyrih.
“Ne dhamë votën tonë dhe besojmë shumë se do të fitojë më i miri. Kosova meriton të ecë përpara. Komunat tona kanë shumë punë për të bërë dhe kemi ngecje në shumë fusha. Shpresojmë që të punohet më shumë dhe që mërgata të mos harrohet,” – tha ndër të tjera z. Huruglica. /SAM24.info