Ese nga Gëzime ABDULLI
Mërgimi është një plagë e vjetër, e cila ka ndjekur për kohë të gjatë popullin shqiptar. Vështirë është të përshkruhet vuajtja e njerëzve, të cilëve iu desh të largoheshin nga vendi dhe familja për të punuar. Çdo periudhë kohore kishte arsyet e ndryshme për të lënë vendin.
Shpërnguljet më masive kanë qenë të shtyra nga shkaqet politike, kur shteti shtypës përndiqte njerëzit më të zotë. Ata detyroheshin të shkonin në vende të largëta e të panjohura për ta.
Por, malli për atdheun nuk i la të qetë asnjëherë. Edhe sot, nevoja për një jetë më të mirë, ka bërë që, pothuajse, çdo familje të ketë, të paktën, një ose më shumë anëtarë jashtë vendit. Shumë nëna mbetën pa djem, nuse, të cilat nuk u nusëruan kurrë, me burrat larg pas kafshatës së gojës. E trishtë dhe e vështirë është të harxhohet paraja e atyre që sakrifikojnë gjithëçka. Tashmë, rinia po zgjedh Gjermaninë, si opsion më të mirë, sepse ata duan të arsimohen dhe të kontribuojnë, e në vendin e tyre nuk munden.
Diploma nuk u pranohet e ndjenja e fajit që nuk janë të pavarur, i vret çdo ditë nga pak. Ata detyrohen të largohen, sepse duan t’ua shpërblejnë sakrificën prindëve. Duan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Një gjë e kanë të sigurtë, gjithmonë do ta kenë kokën e kthyer prapa – kah vendlindja.