Nga: Dashnim HEBIBI
Cyrih, 12 korrik 2025 – Që nga agimi i kësaj dite, Aeroporti i Cyrihut u mbush me emocione, përqafime, lot gëzimi dhe mall që s’ka fjalë ta përshkruajë. Në mesin e mijëra udhëtarëve, ishin mërgimtarët tanë – me zemër plot dashuri për atdheun. Tetë aeroplanë vetëm sot fluturojnë nga Cyrihu për në Prishtinë, dhe i fundit ngrihet në orën 22:45. Po ashtu, sot pati edhe fluturime drejt Shkupit e Ohrit, ndërsa autobusët dhe veturat private u nisën të panumërta, duke ndjekur të njëjtën rrugë: drejt shtëpisë.
Kjo është dashuria e vërtetë – ajo që nuk shuhet as pas dekadash larg vendlindjes. Mërgimtari nuk harron. Ai kthehet çdo verë me fëmijët e vet, me mall në sy dhe krenari në shpirt. Me dhurata për më të dashurit, me fjalë të embla për prindërit e moshuar dhe me përkushtim për të ndihmuar çdo cep të tokës shqiptare.
Mërgata jonë është zemra që rrah larg, por rreh vetëm për një tokë: tokën e të parëve tanë. Ajo nuk kërkon shumë: vetëm respekt dhe mirënjohje. Sepse nuk ka qenë kurrë spektatore – ka ndihmuar, ka kontribuar, ka qëndruar pranë kombit në ditë të mira e të vështira. Dhe do të jetë gjithmonë aty ku ka nevojë për të.
Nuk jemi të largët – jemi thjesht më afër atdheut, sa herë që na merr malli. Edhe nesër do të jetë e njejt, do ju informojmë sapo të sigurojmë informacione të sigurta.
“Kosovë, priti bijtë dhe bijat e tua me zemër të hapur dhe krenari.”
/ SAM24.info