Nga Dashnim HEBIBI
Tiranë / Zvicër / Kosovë – 17 tetor 2025
Në një atmosferë të mbushur me ndjenjë atdhetarie dhe solidariteti, mërgata shqiptare nga Zvicra, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane po i bashkohet protestës gjithëkombëtare që do të mbahet sot në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej” të Tiranës.
Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka për qëllim të kërkojë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, dhe të mbrojë dinjitetin e luftës çlirimtare.
Sipas informacioneve të siguruara nga sam24.info, qysh në orët e para të mëngjesit janë vërejtur lëvizje të shumta nga aeroportet e Zvicrës drejt Kosovës dhe Shqipërisë.
Vetëm nga Cyrihu janë nisur dy aeroplanë drejt Prishtinës dhe një drejt Shkupit, ndërsa dy të tjerë nga Bazeli kanë fluturuar në të njëjtën drejtim. Pjesëmarrësit, kryesisht mërgimtarë nga të gjitha trevat shqiptare, kanë marrë leje nga puna për t’u bërë pjesë e protestës dhe pritet të kthehen të dielën në mbrëmje.
“Kjo është pak që po bëjmë për çlirimtarët tanë. Edhe zëri i mërgatës duhet të dëgjohet, sepse edhe ne jemi pjesë e atdheut – ishim dhe do të jemi”,
– tha për sam24.info Ardiani, nga rrethina e Pejës, që prej vitesh jeton në Zvicër.
Me emocione në sy dhe simbole të UÇK-së në duar, ai shton:
„Edhe ne jemi pjesë e kombit në ditë gëzimi dhe të vështira.”
Në këtë udhëtim të solidaritetit nuk mungojnë as gjeneratat më të vjetra të diasporës, të cilat me përvojë dhe përkushtim po tregojnë se dashuria për atdheun nuk plaket kurrë. Shumë prej tyre janë nisur edhe me vetura, duke përshkuar qindra kilometra për të qenë pranë bashkatdhetarëve në këtë ditë simbolike.
Ndërkohë, autobusë të mbushur me qytetarë nga mbarë Kosova janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt Tiranës.
Në rrjetet sociale, thirrjet për pjesëmarrje janë shndërruar në një valë të fuqishme bashkimi, ku mesazhi kryesor është i qartë:
“Drejtësi për UÇK-në, respekt për luftën çlirimtare!”
Organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë paqësore, por të fuqishme në mesazh.
Ata theksojnë se qëllimi i tubimit nuk është politik, por moral dhe kombëtar – për të mbrojtur figurën e atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Në sheshin “Skënderbej” pritet të mblidhen mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veteranë, studentë, e mërgimtarë që kanë ardhur posaçërisht për këtë ditë.
Sot, Tirana pritet të bëhet zemra e bashkimit mbarëkombëtar — ku fjala “atdhe” do të marrë kuptimin e saj më të pastër: bashkim, respekt dhe kujtesë për luftën çlirimtare. /SAM24.info