Nga Dashnim Hebibi
HAGË, 14 SHTATOR 2025 – Sot në Hagë do të zhvillohet një protestë madhështore në përkrahje të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku mes qindra shqiptarëve nga të gjitha trevat, u bashkua edhe veprimtari i njohur nga Zvicra, me prejardhje nga Medvegja, z. Fadil Selmani, së bashku me nipin e tij.
Familja Selmani, e njohur për kontributin kombëtar e humanitar, prej dekadash ka qenë në ballë të përpjekjeve për liri dhe dinjitet kombëtar. Fadili, së bashku me vëllezërit e tij Ismetin dhe Shabanin, e kanë trashëguar këtë frymë nga babai i tyre, Liman Selmani – Kapiti, tashmë i ndjerë, i cili deri në frymën e fundit e deshi Medvegjën si pjesë të pandarë të Dardanisë dhe ua la amanet brezave të mos e harrojnë kurrë vendlindjen.
Në një prononcim për median tonë, z. Fadil Selmani u shpreh:
“Me kënaqësi jam duke shkuar me veturë në përkrahje të Çlirimtarëve, Ushtrisë së Artë UÇK, Shtetit Dardan dhe miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA. Sot, më 14 shtator 2025, Medvegja Dardane, së bashku me Preshevë e Bujanoc, jemi në Hagë! Liria ka emër.”
I emocionuar, por edhe i thyer shpirtërisht për padrejtësinë që po i bëhet Kosovës, ai shtoi:
“Erdha me nipin tim me shumë zemër, por i lënduar që vëllezërit tanë që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po mbahen të mbyllur, ndërsa kriminelët serbë sillen lirshëm nëpër Serbi. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë e Dardanisë dhe gjithmonë kemi qenë pranë Atdheut tonë, në çdo situatë. Sot, më shumë se kurrë, çlirimtarët i duhen Kosovës.”
Në fund, Selmani bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë mundësi, të bashkohen në protesta paqësore:
“I ftoj të gjithë që të vijnë dhe të protestojmë si shqiptarë – me shpirt paqësor, por me zë të fortë për drejtësi. Kosova ka nevojë për çlirimtarët e saj, dhe këtë po e sheh edhe miku ynë më i madh, Amerika.”