Në një përpjekje të koordinuar me Presidencën e Republikës së Kosovës, drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane u takuan me përfaqësuesit e kompanisë Delta Airlines dhe shoqatës Linjat Ajrore për Amerikën (Airlines for America) për të prezantuar mundësitë për vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Prishtinës dhe Nju Jorkut.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga Oda Ekonomike Amerikane.
“Me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të renditur si të tretin më të madhin për nga trafiku i pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor dhe ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, Kosova është e gatshme të forcojë lidhjet transatlantike dhe të përmbushë kërkesën në rritje për linja direkte ajrore”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike Amerikane.
Tutje OEAK thekson se një fluturim direkt do të hapte rrugë të reja për tregtinë, turizmin dhe investimet, duke forcuar më tej lidhjet e thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, njofton telegrafi.