Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip! Në Lucern të Zvicrrës, në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1432 fëmijëve shqiptarë të Kosovës, të vrarë nga Serbia gjakatare, u mbajt akademi shkencore dhe një nga promovimet më të organizuara ndonjëherë në Evropë!

E falënderoj nga zemra, Misionin katolik shqiptar, të udhëhequr nga Dr.Don Anton Uka, dhe Shoqatën “Nëna Terezë” nga Luzerni, të udhëhequr nga z.Nue Zalli, për organizimin e mrekullueshëm, njërin nga organizimet më të suksesshme në Evropë, për promovimin e veprave të mia publicistike e dokumentare, që përmes një akademie shkencore dhe hapjes së ekspozitës “RIKUJESË – Ata janë vet liria”, në shenjë të 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, ua kushtuan dhimbjes më të madhe dhe më të përgjakshme të fundshekullit XX-të, vrasjes dhe masakrimit të mbi 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror serb, në periudhën e viteve 1998/1999.

Me një organizim shembullor, ata, ua kujtuan miqëve dhe armiqëve se, Kosova jonë dardane, ishte martirizuar me shekuj dhe, për të ardhë deri te liria dhe pavarësia e saj, e ka larë çdo pëllëmbë të tokës së saj, me gjakun e djemëve dhe vajzave tona më të mira, me gjakun e nënave dhe baballarëve tanë, por edhe me gjakun e më shumë se 1432 fëmijëve të vrarë e të masakruar nga barbaria dhe mizoria serbe, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin gjak Kastrioti, gjak Skenderbegian dhe Ademjasharian, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Falënderojmë nga zemra gjithë ato familje shqiptare që kishin ardhur edhe nga Gjermania, Belgjika, Franca e Italia, për ta nderuar gjakun e 1432 “engjëjve” tanë, e për të ndarë dhimbjet dhe emocionet me të gjithë të pranishmit në sallën e madhe dhe të bukur, që e kishte rezervuar Misioni katolik shqiptar, në krye me të palodhshmin, patriotin dhe intelektualin Dr.Don Anton Uka, i përkrahur fuqishëm edhe me atdhetarin dhe humanistin e dëshmuar, z.Nue Zalli. Me prezencën e tyre na nderuan edhe: Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicërr, Z. Mentor Latifi, Konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Z. Vigan Berisha, ish Konsulli i Republikës së Kosovës, Dr.Salih Sefa, Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Hysen Sali Çekaj me bashkëshorten Valentina Çekaj, bashkëluftëtari im Bashkim Hoti, veprimtarët Fatmir Gashi e Rexhep Neziri, Xun Çetta, Pal Deda, Kristi Uka, e shumë e shumë të tjerë.

Emocion të veçantë gjithë të pranishmëve në sallë, i dha prezenca e të mbijetuarës së gjenocidit serbë në Kosovë në vitin 1999, znj.Liridona Nuraj Kameri, e cila atë botë ishte vetëm 9 muajshe, kur plagoset rëndë bashkë me motrën e vet Saberneten dhjetë vjeçe, e ju vritet vëllai Mërgimi, vetëm 4 vjeçar, me ç’rast, rrëfimi prekës i saj, i bëri me lot të gjithë të pranishmit në sallë Liridona, tashmë kishte 6 muaj që ishte bërë Nënë, andaj prezenca e saj dhe e burrit të saj Besmirit, me voglushin e tyre Siarin, bëri që, i tërë publiku të ngritet në këmbë dhe t’i nderojnë me duartrokitje frenetike. Një falënderim shumë të veçantë ia dedikoj mikut tim, z.Marjan Nue, i cili ishte ndër të parët, duke treguar një interesim jashtëzakonisht të madh, që kjo ngjarje kulturore, shkencore dhe edukative të jetë kaq e suksesshme, siç edhe miku im, z.Zef Marku dhe z.Ukë Nrejaj, për kontributin e tyre të pakursyer në sensibilizimin e opinionit artdashës, jo vetëm në Zvicërr, por edhe më gjerë.

Ata që i dhanë ,shije’ tejet profesionale këtij manifestimi promovues, ishin artistët e vërtetë, Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, për këngët dhe moderimin e mbrëmjes, pastaj djemtë dhe vajzat e Ansamblit “Shqiponja”, Kastriot dhe Vera Frrokaj, fëmijët e Misionit, fëmijët e Ansamblit “Arbëresha” të Sirnachit, Bordi udhëheqës i Shoqatës “Nënë Tereza”, e shumë aktivistë dhe veprimtarë e veprimtare gjithandej Zvicrrës dhe shteteve tjera evropiane, që ndihmuan në realizimin kaq të suksesshëm, e kaq madhështor të këtij manifestimi promovues.
Shoqata “Nëna Terezë”, Zvicër
Në një atmosferë të mbushur me ndjenja të thella dhe respekt të veçantë, më 29 korrik u mbajt Akademia përkujtimore dhe Ekspozita Dokumentare “Rikujtesë – Ata ishin vetë Liria”, dedikuar fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ngjarja u organizua me përkushtim nga Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misioni Katolik Shqiptar – Luzern, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe kujtese kolektive.
I ftuar i veçantë ishte Prof. Nusret Pllana, zëri i pashuar i kujtesës sonë historike, i cili me përkushtim e guxim ka dokumentuar dëshmitë rrëqethëse të gjenocidit mbi popullin shqiptar. Fjalët dhe rrëfimet e tij na rikujtuan plagët ende të hapura të një historie që nuk guxojmë ta harrojmë.
Manifestimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme institucionale dhe diplomatike:
– SH.T. Ambasadori Mentor Latifi
– Konsulli z. Vigan Berisha
– Deputeti z. Hysen Çekaj, djali i heroit të kombit, Sali Çekaj.
Mirënjohje e thellë për artistët, fëmijët, vullnetarët, organizatorët dhe të gjithë ata që kontribuan me zemër e përkushtim në këtë mbrëmje të paharruar, që bashkoi kujtesën me dinjitetin.
Kujtojmë që të mos harrojmë. Nderojmë që të mos lejojmë të përsëritet.
Bora Balaj, New York
Engjëj që nuk u rritën kurrë!
Për 1432 fëmijët tanë – dritë e përjetshme e lirisë
Ju s’kishit as faj, as armë,
kishit lodra të fshehura nën jastëk,
ëndrra të pafajshme në duar të vogla,
e një botë që mezi kishit nisur ta njihnit.
Ju s’kishit kohë të thonit “nënë”,
as të qanit nga frika,
sepse plumbi s’pyet për emër,
dhe asnjë gjak nuk është më i heshtur se ai i një fëmije që pushon përgjithmonë.
Ju morën nga barku i shtëpisë,
nga mesi i ëndrrave të papërfunduara,
si të mos ishit kurrë,
si të mos kishit frymuar asnjëherë.
Por ju jeni – dhe do të mbeteni – fytyra më e pastër e lirisë sonë,
ulërima më e thellë e historisë,
qarja që s’pushon kurrë në ndërgjegjen tonë.
Ju nuk jeni statistika.
Jeni dhimbja që na ngrin gjakun.
Jeni shpirtra të vegjël,
që i folët botës me gjak e me heshtje.
Një ditë, drejtësia do të trokasë,
por deri atëherë, ne do t’ju mbajmë në zemra,
si një plagë që nuk mbyllet, si një dritë që nuk shuhet.
Lavdi ju qoftë, engjëj që nuk u rritët kurrë!
SAM24.info Enkas për SAM24.info