
Nga: Prof.dr. Xhavit LIPAJ, ZVICËR
A më dëgjon, o botë, kur s’kam zë për të folur?
Kur shpirti mblidhet si gjethe në vjeshtë,
dhe pyes veten: “A jam ende unë?”
Apo thjesht një hije që dikur ecte në dritë?
A do ta gjej veten atje ku askush s’më njeh,
në mes të njerëzve që më shikojnë pa më parë,
në sytë që më gjykojnë për plagët që s’i kuptojnë,
në heshtjet ku fshihet një klithmë e mbytur?
E kam kërkuar veten në fjalë që s’ishin të miat,
në buzëqeshje që s’më përkisnin më,
në përqafime të ftohta si bora në korrik,
në rrugë që më çonin larg, por kurrë në shtëpi.
Vetja ime, moj e heshtur, ku je fshehur kështu?
Pse më le të ndodhem i huaj në shpirtin tim?
A je zemra që rreh, apo ajo që hesht?
A je loti që bie, apo forca që ngrihet pas tij?
Dikur ishim një, ti dhe unë,
Në një trup të thjeshtë, në një shpirt të pastër
Që s’kishte nevojë për maska.
Por koha më mësoi si të mbijetoj pa ty,
Dhe mbijetesa më kushtoi vetveten.
Më fal, vetja ime, që të lash pas dore,
Që të mbulova me mëshirë e fjalë të huaja,
Që u përpoqa të jem dikush tjetër për të tjerët
Dhe harrova të jem dikush për veten.
Por tani po kthehem, i gjymtuar, i zhveshur,
Pa lavdi, pa maska, pa mburojë, vetëm i vërtetë.
Po të kërkoj, jo si hero që fiton,
por si njeri i lodhur nga humbjet e vetes.
A do të më presësh, o vetja ime,
në dhomën ku s’kam hyrë prej vitesh?
Do të më flasësh pa më gjykuar për heshtjen?
Do të më shërosh me ndjesë… dhe me kujtim?
Tani e kuptoj:
Vetja nuk është e humbur,
ajo është aty ku e lashë,
kur zgjodha të rri i huaj me veten.
Vetja nuk vdes, por pret,
në qetësinë e shpirtit të lodhur.
Po, do ta gjej veten.
Jo se kam forcë më shumë,
por sepse më në fund kam guximin
të mos kërkoj më jashtë.
Tani kërkoj brenda,
atje ku gjithmonë ka qenë.