Nga: Dashnim HEBIBI
Kështu duket Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” në orët e para të 3 gushtit — ora 02 pas mesnate. Përplot bashkatdhetarë. Pushimet po përfundojnë. Mërgimtarët po kthehen në atdheun e tyre të dytë. Vetëm për Zvicër, deri në orën 08:53 janë të planifikuara tre aeroplanë, dhe gjatë pasdites e deri në mbrëmje do të ngrihen edhe të tjerë.

Kjo është jeta e mërgimtarit: andej e këndej, me rrënjë të shprishura ndër dy bote.
Në rrugët e Prishtinës shihen kolona veturash që nxitohen drejt aeroportit — për t’i përcjellur ata që ikin me sytë e mbushur me lot, duke marrë me vete mallin dhe kujtimet e atdheut.
Në terminal: fëmijë të vegjël që s’e kuptojnë ndarjen, pleq që nuk flasin shumë — veç shtrëngojnë duart më fort, dhe të rinj që lënë pas një verë që mbaron gjithmonë shumë shpejt. Nuk ka më buzëqeshje si në ardhje; tani, fytyrat janë të ngrira, të lagura, të thyera.
Edhe java tjetër do të jetë e stërngarkuar. Shumica shkojnë.
Nata në aeroport zbardhet me mallin e mërgimtarit.

Shkojnë, por nuk harrojnë.
Ikën, por mbesin.
Në çdo hap — një kujtim, një lot, një “mirupafshim” që nuk dihet kur bëhet “mirësevjen”.
Ky është udhëtimi i pambarim i shpirtit shqiptar: andej e këndej.
Midis dy dashurive — njëra në gjak, tjetra në jetë.
SAM24.info
FOTO nga Dea HEBIBI