Nga: Dashnim HEBIBI
Mërgata shqiptare, spektatore e ftohtë e fushatës zgjedhore lokale në Kosovë ?
Mërgata shqiptare, e cila historikisht ka qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë, këtë herë po e përcjell me më pak entuziazëm fushatën zgjedhore lokale që po zhvillohet në vendlindje. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, të cilat tradicionalisht kanë ngjallur interesim të madh, zgjedhjet lokale të këtij viti po karakterizohen nga një ftohtësi dhe mungesë e dukshme përfshirjeje nga diaspora. Pse?
Interesimi në rënie dhe dilemat për pjesëmarrje
Për dekada me radhë, bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për atdheun – duke ndihmuar ekonomikisht, në luftë, pastaj duke lobuar politikisht dhe duke marrë pjesë në proceset e ndryshme zgjedhore.
Por këtë herë, në prag të zgjedhjeve lokale, shume bashkatdhetarë ndodhen në dilemë:
A ia vlen të marrin pjesë në procesin zgjedhor?
Një pjesë e tyre tashmë kanë vendosur apo planifikojnë të votojnë përmes postës, siç është bërë praktikë në zgjedhjet e fundit. Megjithatë, shumë të tjerë shprehen të pavendosur ose të zhgënjyer nga zhvillimet politike në Kosovë.
“Jemi të lodhur nga premtimet dhe përçarjet. Presim ndryshime reale, jo fjalë boshe,” shprehet një bashkatdhetar që jeton e vepron në Cyrih.
Mungesa e komunikimit me mërgatën
Ndryshe nga të kaluarat, këtë herë mungojnë takimet e drejtpërdrejta të kandidatëve me diasporën. Në Zvicër, që është një numër ti madh i mërgimtarëve nga Kosova, thuajse asnjë kandidat për kryetar komune nuk ka ardhur për të prezantuar programin e tij apo për të kërkuar mbështetje. I vetmi që është përmendur është kandidati nga Kamenica, i cili ka vizituar diasporën para fillimit zyrtar të fushatës.
Kjo heshtje ka lënë shumë të habitur dhe të zhgënjyer bashkatdhetarët. Shumë prej tyre ndjejnë sikur janë përfshirë në diskursin politik vetëm gjatë zgjedhjeve parlamentare, ndërsa në nivel lokal ndihen të lënë pas dore.
Zgjedhjet lokale, më pak tërheqëse
Vërehet se zgjedhjet parlamentare në Kosovë gjithmonë kanë pasur një rëndësi më të madhe strategjike për partitë politike, ndërsa zgjedhjet lokale shpesh trajtohen me më pak investim në diasporë. Kjo qasje reflektohet edhe në mungesën e aktiviteteve të fushatës jashtë vendit.
Nga kontaktet dhe vëzhgimet e deritanishme në mërgatë, është e dukshme se interesimi për të ndjekur fushatën lokale është shumë i ulët.
“Ka shumë zhurmë në Kosovë, por këtu askush nuk po e ndien atmosferën e zgjedhjeve,” tregojnë disa bashkatdhetarë.
Sipas parashikimeve jozyrtare, pjesëmarrja e diasporës në votimet lokale pritet të jetë dukshëm më e vogël krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Mërgata kërkon zhvillime, jo premtime
Mesazhi që vjen nga diaspora është i qartë: ata presin zhvillime konkrete, projekte të prekshme dhe bashkëpunim të sinqertë me komunat e tyre të origjinës. Premtimet e përgjithshme dhe retorika politike nuk janë më të mjaftueshme për të nxitur mobilizimin e mërgatës.
Nëse partitë politike dhe kandidatët duan që mërgata të jetë një faktor aktiv edhe në zgjedhjet lokale, duhet të krijojnë ura reale komunikimi, të përfshijnë diasporën në planifikimet zhvillimore komunale dhe të tregojnë seriozitet në raport me nevojat e saj.