/ Nga: Dashnim HEBIBI, Prizren
Adem Kicaj – Shpirti i Artit Shqiptar në Diasporë dhe Kosovë
Prizren, 10 qershor 2025 – Adem Kicaj është një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim në botën e artit shqiptar, veçanërisht për ata që ndjekin rrugëtimin e artistëve tanë në diasporë. President i Shkollës së Aktrimit IFTP në Zvicër dhe Kosovë, aktor me një gamë të gjerë emocionale, regjisor, producent, këngëtar dhe pedagog i përkushtuar, ai është një frymëzim për brezat e rinj dhe një simbol i qëndrueshmërisë artistike në përballje me sfidat e mërgimit.

Origjinaliteti i tij, përulësia dhe përkushtimi ndaj artit dhe atdheut janë disa nga vlerat që e bëjnë Adem Kicajn një figurë të pazëvendësueshme në skenën kulturore shqiptare. Adem Kicaj është më shumë sesa një aktor. Ai është një njeri i shpirtit, i ndjeshmërisë, i përkushtimit.

Ai qan në skenë, jo për rolin, por sepse ai qan me shpirt, sepse brenda tij ndjen thellësisht çdo emocion që përcjell. “Lotët e mërzisë janë të njelmët, e të gëzimit të ëmbla,” thotë ai. Nuk e fsheh emocionin, nuk e vesh me maska. Ai është siç është – i pastër në shpirt, i vërtetë në ndjenja, i thellë në mendim.

Që nga ardhja e tij në mërgim, nuk është ndalur kurrë. Në njërën dorë bukën e përditshme, në tjetrën lapsin dhe sharkinë për të krijuar. Jeton dhe punon në rrethinat e Cyrihut, pranë liqenit, aty ku frymëzohet nga natyra dhe clirohet nga pesha e ditës. Në banesën e tij, arti ka një vend të veçantë, dhe vizitorët e ndiejnë menjëherë frymën e krijimtarisë.

Adem Kicaj ka interpretuar në role të shumta në teatro të Zvicrës, bashkë me aktorë zviceranë, duke promovuar me dinjitet kulturën dhe vlerat shqiptare. Është një mjeshtër i sharkisë dhe buzukut, këngëtar i shquar, valltarë dhe në skenë ai dridh publikun me recitimet e tij.

Në akademinë që ai drejton – IFTP – po formon një brez të ri aktorësh shqiptarë që studiojnë dhe jetojnë në Zvicër, duke lidhur artin me identitetin kombëtar.

Aktualisht në Kosovë, ai nuk ka ardhur për të pushuar, por për të dhënë kontributin e tij, ashtu siç e ka bërë gjithmonë. Është pritur me nderime nga komuna e Vitisë, ku mori mirënjohje nga kryetari Sokol Haliti dhe nënkryetari Hysen Aliu, si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës. Kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, gjithashtu e nderoi me mirënjohje për kontributin e tij artistik.

Ai mori pjesë në Festivalin “Muj Krasniqi” në Klinë me pantomimën “Zhdukuri në Shekuj”, një vepër që interpretoi me ansamblin Fenix nga Zvicra, nën koreografinë e Arsim Berishës. Me aktoren Emi Kurteshi dhe vogëlushen Diana Berisha, kjo performancë emocionoi publikun dhe fitoi çmimin e publikut – një tjetër dëshmi e fuqisë shprehëse që sjell Adem Kicaj në çdo skenë.

Ademi dhe Aleksandër Moisiu:
Adem Kicaj e ka Aleksandër Moisiun si idhullin e tij artistik. Ai ka vite që punon për realizimin e një sheshi dhe një përmendoreje në nder të këtij kolosi të skenës, pikërisht në Morcote të Zvicrës, aty ku prehet përjetësisht Moisiu. Ky projekt flet shumë për përkushtimin e Ademit ndaj trashëgimisë sonë artistike dhe ruajtjes së saj në vendet ku jetojnë shqiptarët.

Një model për brezat e rinj:
Ai është model për të rinjtë jo vetëm si artist, por edhe si njeri. I thjeshtë, i sjellshëm, i drejtë. Ai nuk e ka “grushtin e fortë”, por ka fuqinë e fjalës dhe ndershmërisë. Ai nuk ka mashtruar asnjëherë për të arritur suksesin – sepse suksesi i tij ka ardhur përmes punës, përkushtimit dhe pasionit të pastër për artin.

Nderim për Dëshmorët:
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Adem Kicaj ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në nderim të dëshmorëve të kombit, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen e tij të thellë për sakrificën e tyre. Ky gjest simbolik, por i ngarkuar me emocione të mëdha, dëshmon lidhjen e fortë që ai ka me historinë dhe kontributin e atyre që dhanë jetën për liri.

Për Ademin, të nderosh dëshmorët është një detyrë morale dhe shpirtërore, një akt që buron nga ndërgjegjja dhe dashuria e tij e pakushtë për atdheun.
Mos e humbni:
Më 14 qershor, Ademi do të jetë i ftuar në rubrikën “9 minuta me Dashnimin”, ku do të ndajë më gjerësisht rrugëtimin e tij, sfidat dhe sukseset si aktor, profesor dhe figurë qendrore në artin shqiptar në Zvicër dhe Kosovë. Adem Kicaj nuk është thjesht një aktor – ai është një institucion i gjallë i shpirtit artistik shqiptar. Dhe meriton të përkrahet edhe më shumë, nga të gjithë ne. /SAM24.info