PhD. Dashnim Hebibi pritet nga Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, njëherit kryetar i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ me qendër në Zvicër dhe kryeredaktor i Qendrës Mediale Shqiptare Sam24.info me redaksi qendrore në Cyrih, propozon hapjen e “Muzeut të Diasporës” dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit më të madh me mërgatën
Nga Dahest Luma –
Preshevë, 27 tetor 2025
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih të Zvicrës, njëherësh kryeredaktor i qendrës mediale SAM24.info dhe kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, PhD. Dashnim Hebibi, zhvilloi sot në mëngjes një vizitë zyrtare e miqësore në Komunën e Preshevës, ku u prit nga e para e komunës, znj. Ardita Sinani.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, ku temë qendrore e bisedës ishte mërgata shqiptare e Luginës së Preshevës dhe roli i saj në zhvillimin shoqëror, kulturor e ekonomik të vendlindjes.
Z. Hebibi për tre dekada nuk është ndalur edhe për të mirën e Luginës së Preshevës dhe përcolli përshëndetjet dhe vlerësimet për udhëheqjen lokale.
PhD. Hebibi përcolli përshëndetjet e stafit të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, të qendrës mediale SAM24.info, si dhe të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendër në Zvicër.
“Ne jemi shoqatë apolitike, por gjithmonë në shërbim të të mirës së përbashkët. E vlerësojmë punën, përkushtimin dhe vizionin e udhëheqësve lokalë që punojnë me sinqeritet për vendin e tyre,” – u shpreh PhD. Dashnim Hebibi.

Vëmendje ndaj rinisë dhe fuqizimit të mërgatës
Gjatë bisedës, PhD. Hebibi theksoi nevojën e krijimit të moduleve dhe urave bashkëpunuese ndërmjet rinisë së mërgatës dhe asaj të Preshevës, për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të inkurajuar kontributin e brezave të rinj në zhvillimin e vendlindjes.
“Na duhen politikanë të punës, e jo të zhurmës. Vetëm me bashkëpunim dhe sinqeritet mund të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë,” – shtoi Hebibi.
Propozime për muze të diasporës dhe për zhvillim të qëndrueshëm
Z. Hebibi e informoi Kryetaren Sinani edhe për punën që po zhvillohet në qendrën mediale SAM24.info, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë mes Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe organizatave të tjera në Kosovë e diasporë.
Ai propozoi gjithashtu themelimin e një “Muzeu të Diasporës” në Preshevë, i cili do të shërbente si simbol mirënjohjeje dhe kujtese për kontributin e mërgatës brez pas brezi, duke ruajtur historinë, identitetin dhe vlerat shpirtërore të shqiptarëve të Luginës.
Po ashtu, z. Hebibi ngriti edhe idenë e ndërtimit të një spitali modern në Preshevë, ide e kahmotshme e si domosdoshmëri për shërbime shëndetësore cilësore dhe si simbol i përkushtimit ndaj qytetarëve të Luginës.
Ardita Sinani: “Nuk do të ndalemi – kemi votën dhe besimin e qytetarëve tanë”
Kryetarja e komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, falënderoi z. Hebibi për vizitën dhe propozimet konkrete, duke theksuar se komuna po përballet me shumë sfida, por se puna dhe përkushtimi ndaj qytetarëve mbeten prioriteti kryesor.
“Nuk është e lehtë, por ne po punojmë me të gjitha mundësitë që kemi, edhe pse shpesh përballemi me pengesa të qëllimshme. Nuk do të ndalemi, sepse kemi votën e qytetarëve dhe për ta do të punojmë edhe më shumë,” – tha znj. Sinani.
Ajo shtoi se stafi komunal është çdo ditë në terren, për t’u përballur me sfida të ndryshme dhe për të qenë afër qytetarëve në çdo situatë.
“Presheva ka marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim me të gjithë ata që duan të mirën e Luginës. Ne falënderojmë qeverinë Kurti për ndihmën e dhënë dhe mirëpresim çdo bashkëpunim institucional,” – shtoi ajo.
Kryetarja Sinani theksoi se Presheva nuk duhet harruar dhe se është e domosdoshme të krijohen kushte për punësim dhe investime. Ajo e vlerësoi mërgatën si potencial të madh ekonomik dhe zhvillimor, duke i ftuar bashkatdhetarët që të afrohen dhe të investojnë në vendlindje.
“E di që situata politike në Serbi ka ndikuar që shumë iniciativa të ndalen, por ne nuk do të dorëzohemi. Presim bashkëpunim më të madh dhe dyert e komunës janë të hapura për të gjithë. Ideja për spital dhe muze është e shkëlqyer dhe do të angazhohemi me ekspertë të fushave përkatëse,” – theksoi znj. Sinani.
Ajo u shpreh mirënjohëse për besimin e qytetarëve:
“Faleminderit qytetarëve që më kanë zgjedhur si grua, nënë dhe vajzë e kësaj ane për të udhëhequr komunën. Po përballem me shumë vështirësi, por kemi dijen, forcën dhe mbështetjen e meritorëve për të ecur përpara. Çdo ditë kemi projekte të reja dhe do të punojmë për t’i realizuar ato,” – deklaroi ajo.
Në fund, ajo i bëri thirrje mërgatës shqiptare që të jetë afër Luginës:
“Tani patriot është ai që investon në vendlindje. Ejani, dera jonë është e hapur për ju,” – tha ajo.
Dhurata simbolike dhe mesazhe frymëzuese
Në përfundim të takimit, PhD. Hebibi i dhuroi Kryetares Sinani dy nga librat e tij më të rinj me poezi, të botuara së fundmi dhe të përfshira edhe në revista ndërkombëtare, ku një pjesë e veçantë i kushtohet zërit të Preshevës dhe Luginës në arenën botërore.
Ai vlerësoi faktin se Presheva me rrethinë, një qytet që respekton rolin e gruas në shoqëri, udhëhiqet nga një grua, gjë që – sipas tij – përçon një imazh të fuqishëm e pozitiv përpara botës demokratike.
“Presheva meriton të jetë më mirë. Ti bashkojmë forcat për të mirë. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, me aq mundësi që kemi, për të ardhmen e saj,” – theksoi në mbyllje Hebibi.
Bashkëpunim për të mirën e përbashkët
Takimi përfundoi me një ndjenjë të fortë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë ndërmjet Komunës së Preshevës dhe diasporës shqiptare në Zvicër.
Palët u pajtuan që në të ardhmen të zhvillohen projekte të përbashkëta në fushat e humanizmit, arsimit, kulturës dhe zhvillimit lokal, në shërbim të qytetarëve dhe të brezave që vijnë mes mërgatës dhe Preshevës.
			
                                
			