Nga: Dashnim HEBIBI
Foto Reportazh nga Cyrihu: Kryetari i Kamenicës takohet me bashkatdhetarët e Topanicës
Cyrih, 23 gusht 2025 – Fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë siç dihet, që do të mbahen më 12 tetor, ende nuk ka filluar, prandaj edhe takimi nuk kishte të bëj me fushatë. Sa për orientim të lexuesit në fillim të këtij reportazhi, duke ia bërë me dije, se fjala e lirë gjithmonë do të jetë e fortë pa ngjyra politike apo interesa të tjera. Pikërisht për këtë arsye, redaksia jonë e përcolli një takim të veçantë të kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, me bashkëpunëtorët e tij dhe bashkatdhetarët nga Topanica. Takimi u zhvillua në adresën: Siewerdtstrasse 95, 8055 Zürich – Multinet Communication.

Takimi me bashkatdhetarët dhe atmosfera e ngrohtë
Gjatë pasdites së sotme, kryetari Rahimaj u prit nga bashkatdhetarët në një atmosferë miqësore dhe festive. Ngjarja u organizua nga Shoqata Topanica në Zvicër, e udhëhequr nga profesor Burhan Morina. Takimi u mbajt në Cyrih, në selinë e shoqatës Topanica që është njëra nga sallat e kompanisë të afaristit Afrim Morina nga Topanica e Komunës së Kamenicës, ku morën pjesë edhe veprimtarë dhe afaristë që ia duan të mirën vendlindjes së tyre.
Pas mbërritjes, mysafirët u pritën me një koktej tradicional, sipas zakoneve të Topanicës. Tema kryesore e takimit ishte llogaritja për premtimet e kryetarit dhe stafin e tij gjatë katër viteve të fundit, si dhe diskutime për të ardhmen e komunës dhe bashkëpunimin me diasporën.

Pjesëmarrësit kryesorë
Në takim morën pjesë stafi i udhëheqës i komunës:
• Afrim Dervishi – Drejtor i Arsimit
• Blerim Morina – Drejtor i Investimeve Kapitale
• Vaxhid Rexhepaj – Shef i Kabinetit
• Kadri Rahimaj – Kryetar i Komunës së Kamenicës
Kryetari Rahimaj, i njohur për modestinë e tij, erdhi në orën e caktuar dhe u prit nga z. Burhan Morina, Kadrush Shala, Shaban Morina dhe të tjerë, të cilët përshëndetën të gjithë bashkatdhetarët.

Disa prej të pranishmëve shprehën për sam24.info:
“Që kur ka ardhur kryetari në komunën tonë, nuk ka pasur vetëm premtime, por realizime konkrete. Ne nuk jemi në ndonjë subjekt politik, por e vlerësojmë dhe e duam atë që ka punuar dhe po punon. Kryetari ynë nuk është i korruptuar dhe sot ditën e kemi lënë mënjanë për ta pritur atë.”
Mesazhi i nikoqirit, Prof. Burhan Morina
Prof. Burhan Morina u shpreh se ky takim nuk kishte karakter fushate, por ishte një rast për të pritur kryetarin dhe për të vlerësuar bashkëpunimin e tij me diasporën.
Ai theksoi:
“Një SMS që ia kam dërguar për ndonjë çështje në vendlindje, menjëherë merr përgjigje dhe veprim nga ekspertët e tij. Nuk ka punësuar asnjë person nga familja jonë në komunë, që të kem ndoj interes personal; puna bëhet vetëm për të mirën e vendit. Ai që ka punuar, duhet përkrahur dhe e falënderoi publikisht për punën që ka bërë konkretisht për fshatin Topanicë..”
Morina shtoi se Shoqata Topanica është si anëtare e familjes dhe punon me duar të pastra, duke investuar gjithmonë për vendlindjen dhe falënderoi edhe fshatarët në Topanicë dhe kryetarin i këshillit lokal Bejtë Topanica për bashkëpunimin e sinqertë.

Fjalimi i Kryetarit Rahimaj dhe prezentimi i punës së katër viteve
Kryetari Rahimaj falënderoi për mikpritjen dhe mbështetjen e diasporës:
“Përkrahja juaj ka qenë gjithmonë e rëndësishme dhe ne u jemi mirënjohës. Jemi përpjekur të jemi transparentë dhe të marrim ide nga ju, sepse jetoni në Evropë.”
Ai inkurajoi bashkatdhetarët që të regjistrohen dhe të votojnë:
“Vota e mërgatës është shumë e rëndësishme. Deri tani janë regjistruar vetëm 350 persona, ndërsa duhen mbi 1 mijë. Pavarësisht se për kë votoni, është e domosdoshme të merrni pjesë.”
Kryetari prezantoi përmes një PowerPoint profesional punën e deritanishme:
• Nga 48 zotimet, janë realizuar 40, ndërsa kanë mbetur 8.
• Investimet janë bërë në mënyrë transparente dhe me rezultate konkrete.
Investimet kryesore për katër vitet e fundit
Arsimi: ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, dhënie stimujsh dhe bursash, pajisje shkollore (kamera, TV, laptopë, kabinete), pako ndihmash dhe bombola kundër zjarrit.

Shëndetësia: investime në pajisje moderne, radiologji të avancuar, barna falas për pensionistët.
Sporti: ndërtimi i stadiumit të atletikës, i vetmi në Kosovë dhe rajon, për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kultura: orkestrë frymore e qytetit.
Mbështetje sociale: Baby Box për fëmijët e porsalindur dhe ndihma për familjet.
Infrastruktura: rrugë të reja në të gjitha fshatrat, përfshirë Topanicën (980,575.33 euro investime) dhe projekte të tjera për vitin 2025.
Sipas kryetarit Rahimaj, gjatë katër viteve janë investuar mbi 40 milionë euro, me mbështetje nga qeveria dhe donatorët.
Shembuj konkretë dhe bashkëbisedime me bashkatdhetarët
Kryetari kujtoi një rast nga fushata, kur një qytetar kërkoi asfaltimin e një rruge:
“I thashë se nuk mund të premtoj. Por më vonë, pasi fondet u siguruan, rruga u asfaltua. Ai qytetar erdhi dhe më tha: ‘E meriton të jap votën, sepse e ke bërë punën si duhet dhe nuk ke premtuar si të tjerët.’”
Bashkëpunëtorët e kryetarit, Blerim Morina dhe Afrim Dervishi, prezantuan detajet për punën e bërë në katër vitet e fundit, duke marrë vlerësime nga të pranishmit.
Mesazhe të veçanta dhe përkrahja e diasporës
• Kadrush Shala: “Ruaje veten dhe mos u korrupto. Vazhdoni punën, do të na keni mbrapa.”
• Shaban Morina: “Për ne nuk ka rëndësi partia, por puna që është bërë.”
Kryetari Rahimaj theksoi rëndësinë e zhvillimit të bujtinave dhe hoteleve, si dhe bashkëpunimin me shtetin zviceran.
Çështjet e tjera dhe vizioni për të ardhmen

• Deponitë e komunës: janë dy të përgatitura, me kamera dhe masa mbikëqyrëse.
• Ndërmarrjet publike: synojnë uljen e papunësisë dhe përkujdesjen për punësim lokal.
• Rinia dhe arsimi: kuzhina shkollore, komunikimi prind-fëmijë, shpërblime për nxënësit më të mirë, pajisje sportive dhe instrumente muzikore.
• Investimet në fshatra: përmirësimi i infrastrukturës, rrugëve dhe jetës së komunitetit.
Në emër të Shoqatës “Topanica”, prof. Burhan Morina falënderoi kryetarin dhe stafin:

“Mezi e presim ditën kur fëmijët tanë të kthehen në atdhe dhe të punojnë. Ky takim dëshmon se puna dhe suksesi vlejnë më shumë se emri i partisë.”
Takimi përfundoi në atmosferë miqësore, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën, transparencën dhe prezantimin e rezultateve konkrete për komunitetin e Kamenicës. /SAM24.info
( Foto nga takimi)