Berlin, prill 2025 – Me rastin e 50-vjetorit jubilar të Organizatës Federale të Ndërmarrjeve të Mesme Gjermane (BVMW), u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike të vitit në Gjermani, me pjesëmarrjen e rreth 150 ekspozuesve nga kompani gjermane dhe ndërkombëtare. Në këtë aktivitet të nivelit të lartë, mori pjesë edhe z. Gafar Vejseli, kryetar i Biznes Klub Gjermani – Maqedoni e Veriut, i cili përfaqësoi interesat e ndërmarrjeve dhe investitorëve nga rajoni.

Në mesin e pjesëmarrësve u veçuan edhe kompanitë nga Maqedonia e Veriut, si Missioni DOEL me pronar Amet Idrizi dhe A&F Baustoffhandel e drejtuar nga Arben Lloga, të cilat shfaqën potencialin dhe gatishmërinë për bashkëpunime ndërkombëtare.
Fokusi i këtij viti ishte i përqendruar në temat më aktuale të zhvillimit ekonomik global:
- Transformimi teknologjik,
- Inteligjenca Artificiale (AI),
- dhe Energjia e qëndrueshme.
Ndërmarrjet gjermane paraqitën:
- zgjidhje inovative për transformimin e sektorit të energjisë dhe rritjen e efikasitetit energjetik,
- platforma të menaxhimit me module të inteligjencës artificiale për biznese dhe qendra industriale,
- si dhe aplikime të reja të AI për aftësimin profesional të stafit në sektorin publik dhe privat.
Z. Vejseli zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të kompanive gjermane, duke diskutuar mundësitë konkrete për investime në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe formate të reja të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

Pjesëmarrja në këtë event madhor thekson angazhimin e vazhdueshëm të Biznes Klub Gjermani – Maqedoni e Veriut në ndërlidhjen e tregjeve dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes inovacionit, teknologjisë dhe partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare. / Burimi: www.dnbc.de