Federatën Vatra e vizitoi patrioti nga Kosova z.Pren Marleku i cili shoqërohej nga atdhetari z.Lekë Gojani. Përgjatë takimit vëllazëror u diskutuan çështje të kontributit të mërgatës së Amerikës në dobi të çështjes kombëtare dhe u vu theksi te ruajtja e bashkëpunimit e miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mirënjohja ndaj aleatit të kombit shqiptar.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi historinë e Vatrës si institucioni udhëheqës i patriotizmës dhe atdhetarisë në diasporë, përpjekjet për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe punën për trashëgiminë tek brezat e rinj e pasurisë kombëtare e shpirtërore vatrane.
I shoqëruar nga Lekë Gojani, Pren Marleku koordinator me vendet perëndimore i shoqatës “Shqiptaria” analizoi në Vatër proceset politike dhe kulturore të shqiptarëve dhe rrugëtimin e shtetit të Kosovës pas luftës deri në ditët e sotme, përpjekjet për promovimin e vlerave kombëtare dhe aktivitetet atdhetare në shërbim të kulturës kombëtare. Rreth proceseve kombëtare dhe kontributit të Amerikës e Vatrës për kombin tonë diskutoi vatrani historik Marjan Cubi, transmeton gdielli.