/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Në kërkim të zgjidhjes së krizës politike!
12 seanca parlamentare dhe pa sukses. Propozimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzicionale dhe të ashtuquajtur “unifikuese” vjen në një moment tejet të ndërlikuar për vendin. Megjithëse në dukje mund të tingëllojë si një përpjekje për zgjidhje, në realitet ky propozim ngjan më shumë me një manovër politike që synon të zhvendosë vëmendjen publike sesa me një alternativë të mirëfilltë për kapërcimin e krizës aktuale.
Nuk mund të flasim për qeveri unifikuese nëse nga tryeza mungojnë partitë e mëdha opozitare si PDK dhe AAK. Një qeveri e tillë, për nga vetë emërtimi, duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Përjashtimi i aktorëve kryesorë politikë ia heq legjitimitetin çdo nisme që pretendon të jetë e përkohshme, por gjithëpërfshirëse dhe unifikuese.

Brenda vetë LDK-së, siç duket, ka sinjale përçarjeje. Një pjesë e deputetëve duket se mezi presin një hap të gabuar nga kryetari i tyre, çka dëshmon për një mungesë kohezioni të brendshëm që e vështirëson akoma më shumë një qasje konsistente në skenën kombëtare. Në këtë situatë, një bashkëpunim eventual me kryeministrin Kurti – të cilin z. Abdixhiku e ka përjashtuar – do të përbënte rrezik të lartë politik për të, me pasoja të paparashikueshme brenda partisë.
Nga ana tjetër, qasja dhe retorika e kryeministrit në detyrë Kurti, sidomos pas deklaratave të 9 shkurtit, nuk përçojnë një frymë bashkëpunimi institucional dhe nuk përputhen me sjelljen që pritet nga një lider që synon të udhëheqë me konsensus dhe stabilitet. Të gjitha partitë duket se janë tashmë në një fushatë të heshtur për zgjedhje të parakohshme – edhe pse nuk e thonë hapur.
Zgjedhjet janë të pashmangshme, por mbetet sfidë e madhe për të rikthyer besimin qytetar në proces. Kushtet aktuale nuk garantojnë një pjesëmarrje të gjerë dhe e gjithë kjo atmosferë politike është larg asaj që mund të quhet normale. Sot, qytetari është i humbur mes deklaratave, letrave dhe spektakleve politike. Pas çdo seance del një tjetër “bombë mediatike”, që më shumë e huton sesa e informon publikun. Kjo situatë ngjan me përpjekjen për të zënë një bletë në një dhomë të mbyllur – shumë zhurmë, pa drejtim dhe pa asnjë rezultat të qartë.
Në këtë kontekst, është e qartë se pa një ndërmjetësim të fuqishëm nga partnerët tanë ndërkombëtarë – veçanërisht nga ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë – nuk do të ketë zgjidhje reale. Spektakli politik me letra e deklarata po vazhdon, ndërkohë që në prapaskenë po përgatitet gara e radhës elektorale.
Kosova nuk ka nevojë për truke politike apo qeveri kalimtare që përjashton të tjerët; ajo ka nevojë për një qeveri stabile, me legjitimitet të plotë dhe të aftë për të udhëhequr vendin përmes proceseve që e presin. Çdo zgjidhje që nuk merr parasysh këtë realitet është thjesht një vonesë tjetër për përballjen me të vërtetën politike.
Në këtë situatë të rëndë politike në Kosovë, do të ishte e nevojshme të ndërhyjë Akademia e Shkencave – ajka e kombit. Të ulen të gjithë krerët politikë në një tryezë dhe të kërkohet gjetja e fillit të zgjidhjes së këtij lemshi institucional. Ne e dimë se mandati i Akademisë nuk është as Kuvend, as Qeveri, dhe nuk i bën karshillëk askujt – por ajo është pjesë e institucioneve të kësaj shoqërie, jeton me të dhe preokupohet për të, po aq sa çdo institucion tjetër.
Kjo Akademi ka njerëz të cilët kanë integritet, kanë dije dhe janë në gjendje të japin mendime të pjekura për çështje të mëdha të vendit. Në këtë krizë, do ta kishim mirëpritur një fjalë të qartë, të matur dhe të përgjegjshme nga Akademia e Shkencave të Kosovës.
SAM24.info