/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zug
Pas më shumë se tre dekadash larg vendlindjes, artisti i njohur dhe presidenti i IFTP-së me qendër në Zvicër, Prof. Adem Kicaj, ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e tij në Dardani, në Prizrenin historik, me një projekt të madh filmik shqiptaro-zviceran.

Produksioni do të mbajë emrin e aktorit me famë botërore, Aleksandër Moisiu, një figurë ikonike e artit skenik dhe kinematografisë, i cili përfaqëson krenarinë e përbashkët shqiptare dhe evropiane.
“Puna e mbarë na qoftë!” – është mesazhi që ka shoqëruar këtë njoftim të rëndësishëm për artin dhe kulturën shqiptare.

Prof. Kicaj, një emër i njohur jo vetëm në Zvicër, por edhe në qarqet kulturore ndërkombëtare, është një prej zërave më të përkushtuar të diasporës shqiptare në promovimin e artit, filmit dhe kulturës sonë kombëtare. Edhe pse fizikisht larg për vite me radhë, zemra dhe shpirti i tij kanë qenë gjithmonë pranë Atdheut, me dëshirën për të kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e kulturës shqiptare.
Një projekt që zgjon kurreshtjen dhe emocionin
Detajet e plota të këtij projekti pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim, por ajo që tashmë dihet është se bëhet fjalë për një bashkëpunim serioz ndërmjet krijuesve shqiptarë dhe partnerëve nga Zvicra – një urë e re bashkëpunimi kulturor dhe artistik mes dy vendeve.

Rikthimi i Prof. Kicajt me një projekt të tillë përbën jo vetëm një lajm të gëzueshëm për komunitetin artistik, por edhe një frymëzim për të gjithë ata që besojnë se rrënjët nuk harrohen dhe se atdheu thërret gjithmonë.
SAM24.info