Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Zagreb, Zrinjevac – 28 shtator 2025 – Në kuadër të manifestimit tradicional Ditët e pakicave kombëtare të Qytetit të Zagrebit, skena e Zrinjevcit dje u gjallërua nga performanca e jashtëzakonshme e juniorëve të Ansamblit të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci, të cilët u pritën me entuziazëm dhe duartrokitje të zjarrta nga publiku.
Fëmijët, me shumë krenari, energji dhe dashuri për traditën, interpretuan valle autentike shqiptare, duke treguar rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë kulturore tek gjeneratat e reja. Çdo hap, buzëqeshje dhe lëvizje e tyre reflektoi përkushtimin dhe dashurinë për kulturën shqiptare, duke e kthyer paraqitjen në një spektakël emocionesh.

Me këtë performancë, juniorët përfaqësuan me dinjitet dhe krenari komunitetin shqiptar në Kroaci, duke dëshmuar edhe një herë se shumëllojshmëria kulturore është pasuria më e madhe e një shoqërie.
Organizatorët dhe publiku vlerësuan lart kontributin e tyre në këtë manifestim, i cili prej vitesh është bërë simbol i harmonisë dhe respektit ndërmjet komuniteteve të ndryshme që e pasurojnë jetën kulturore të Zagrebit.

Ansambli i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci shprehu mirënjohje të veçantë për Këshillin e pakicës kombëtare shqiptare të Qytetit të Zagrebit, për ftesën dhe mundësinë që fëmijët shqiptarë të jenë pjesë e këtij festivali të madh të kulturës dhe diversitetit.