/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Andermatt /
Reportazh nga Andermatt: Nderim i veçantë për shkencëtarin PhD. Xhavit Lipaj nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Zvicër
Andermatt, Zvicër – 13 Maj 2025
Në qytetin piktoresk të Andermatt-it, në zemër të Alpeve zvicerane, ku qetësia dhe madhështia e natyrës krijojnë një frymëzim të veçantë, u zhvillua një ceremoni solemne që i dha dritë edhe më shumë këtij qyteti. Një shqiptar, një emër i madh i shkencës dhe humanizmit, u nderua me një mirënjohje të veçantë: PhD. Xhavit Lipaj mori Certifikatën e Mirënjohjes nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër.

Në një atmosferë të ngrohtë, larg zhurmës mediatike por plot dinjitet dhe respekt, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Rexhep Demiri, i dorëzoi këtë mirënjohje z. Lipaj për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në trajtimin dhe menaxhimin e demencës.

“Dija nuk njeh kufij. Është obligim i ynë institucional që ta sjellim më afër përvojën dhe ekspertizën shkencore të diasporës me nevojat zhvillimore të vendeve tona,” – theksoi ambasadori, duke vënë në pah rolin e shkencëtarëve si ura bashkëpunimi ndërmjet Zvicrës dhe vendeve tona të origjinës.
Një ditë ndryshe në Andermatt me plot krenari
Kjo ngjarje ishte më shumë se një ceremoni: ishte një moment reflektimi për vlerat e punës së ndershme, përkushtimit dhe modestisë.

PhD. Xhavit Lipaj, drejtues i Qendrës për të Moshuar “Seniorenzentrum Ursern”, njihet jo vetëm për sukseset profesionale, por për shpirtin e tij human e të përulur.
Në zyrën e tij, ku diploma nga universitetet më prestigjioze rrethohen me simbole kulture dhe gurë të çmuar të rajonit, u pritën mysafirët me një mikpritje tradicionale dhe respekt të rrallë.
Figura të rëndësishme të komunitetit shqiptar ishin të pranishëm:
- Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore,
- Met Krasniqi, kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër,
- PhD. Dashnim Hebibi, kryeredaktor i platformës mediale SAM24.info,
si dhe zv/kryetari i komunës së Andermatt, z. Jost Meyer, i cili në fjalën e tij tha:
“Sot, duke nderuar z. Lipaj, nderuam edhe vetë Andermatt-in.”
Në këtë takim u shpalosën edhe plane konkrete për projekte të ardhshme.

U fol për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve zvicerane dhe atyre në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Z. Lipaj, me përvojën dhe punimet e tij të pranuara ndërkombëtarisht, shprehu gatishmërinë për të kontribuar në përmirësimin e sistemeve të përkujdesjes për të moshuarit në rajon.
Një model suksesi që frymëzon brezat e rinj
Ceremonia kulmoi me dorëzimin e mirënjohjes, ndërsa fjalët e z. Lipaj ishin modeste, por të thella në domethënie. Ai theksoi se puna e tij është reflektim i vlerave shqiptare: përkushtimi, humanizmi dhe respekti për njeriun.

Pas ceremonisë, u shtrua një drekë modeste, ku miqtë dhe bashkëpunëtorët diskutuan mbi projektet që synojnë afrimin e diasporës me zhvillimin e vendlindjes. Florim Useini prezantoi një projekt të ri, për të cilin z. Lipaj tregoi menjëherë gatishmërinë për bashkëpunim. Met Krasniqi vuri në pah rëndësinë e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë, ndërsa zv/kryetari Meyer ftoi të pranishmit që të vizitojnë më shpesh Andermatt-in, këtë “parajsë të turizmit”.
PhD. Dashnim Hebibi, nga ana tjetër, ofroi mbështetje mediatike për të promovuar projektet që do të sjellin standarde të reja përkujdesjeje në rajon.
Një ambasador që ndërton ura bashkëpunimi

Në fund, ambasadori Rexhep Demiri, një figurë që gëzon respekt të jashtëzakonshëm në mesin e mërgatës shqiptare në Zvicër, u shpreh mirënjohës për punën e madhe të z. Lipaj. Ai e ftoi atë që të japë kontribut edhe në Maqedoni të Veriut, duke theksuar nevojën për profesionistë të tillë.
Ambasadori që punon edhe kur qyteti fle
Një detaj që la mbresa të veçanta te të pranishmit ishte edhe përkushtimi i vetë ambasadorit Demiri, i cili është i njohur për orët e gjata të punës.
“Kushdo që kalon pranë ambasadës sonë në Bernë, edhe në orën 22:00 të darkës, do të shohë dritat e ndezura. Jo për luks, por sepse ambasadori punon shumë. Dita i duket e shkurtër kur bëhet fjalë për çështjet e diasporës dhe bashkëpunimin rajonal,” tha një nga të pranishmit, duke nënvizuar modelin e angazhimit të tij.
Me pasionin dhe përkushtimin e tij të njohur, ambasadori Demiri vijoi më pas agjendën e tij drejt Cyrihut, ku e prisnin takime të tjera, duke dëshmuar se puna për ndërtimin e urave të bashkëpunimit nuk ndalet kurrë.

Në përmbyllje, PhD. Xhavit Lipaj falënderoi të gjithë të pranishmit me fjalët:
Fjalët që mbetën në zemër
Ceremonia u shoqërua me biseda të hapura për projektet e së ardhmes, për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për rëndësinë e sjelljes së modeleve zvicerane në vendet tona. Gjithashtu z.Lipaj është edhe autor i disa librave me poezi ku i dhuroi mysafirëve. Një personaitet I jashtëzakonshëm i cili kontribuon edhe në IPAK me dijetarë të tjerë që veprojnë në Zvicër. Një shpirt-diell!
“Kështu siç kujdesemi për seniorët këtu, duhet të kujdesemi edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut. Të moshuarit meritojnë dinjitet deri në fund të jetës,” tha me emocion PhD. Lipaj.

Ky nder nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ata që besojnë se puna e ndershme dhe humanizmi janë rruga e vetme drejt suksesit të qëndrueshëm.”

Mirupafshim në suksese të tjera!
SAM24.info