0.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Ideologjia kombëtare dhe miti kombëtar shqiptar

Duhet ti lexosh

/ Nga Dr. Nelson R. Çabej/

Bartja e problemeve specifike shkencore në diskursin botor (publik) është shumë herë e mbarsur  me reziqe keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh të ideve në masën e lexuesve. Kjo duket se ka  ndodhur edhe në debatin e zhvilluar vitet e fundit në median joshkencore shqiptare, ku është  theksuar shumë herë nevoja e çmitizimit ose, siç është thënë me një barbarizëm, “demontimit” të  “historisë kombëtare të mitizuar të shqiptarëve”. Shumë herë në këtë debat është ngatërruar  historia zyrtare ose historishkruarja shqiptare me ideologjinë kombëtare të shqiptarëve dhe  është marrë fjala mit në kuptimin literal, si një tregim jo i vërtetë, e jo në atë kuptim që përdoret  shpesh në kritikën historiografike për të shprehur subjektivitetin e pashmangshëm të  historishkruarjes.  

Ideologjia është një sistem vlerash, besimesh, idesh, virtutesh dhe mitesh, rëndom të lidhura në  mënyrë logjike, të cilat një bashkësi njerëzore (popull, klasë a shtresë shoqërore) i mban si të  vërteta aksiomatike, të cilat as kanë nevojë e as mund të vërtetohen sepse ideologjia nuk është  shkencë. Të kërkosh nga një ideologji që të provojë drejtësinë e atyre vlerave, besimeve dhe  ideve do të thotë të kërkosh të pamundurën, t’i japësh asaj funksionin e shkencës ose të fshish  çdo kufi midis dy gjërave kaq të ndryshme sa ideologjia dhe shkenca. Ndryshe nga shkenca, që  pranon dhe i ka të domosdoshme vetëndreqjen dhe përmbysjet revolucionare madje dhe mohimin  e teorive ekzistuese, ideologjitë nuk mund të pranojnë përmbysjen dhe ndreqjen, ndonëse mund  të evoluojnë, pasurohen dhe sofistikohen.

Por ideologjitë, qofshin ato politike, morale, ligjore, raciale, epistemologjike, fetare, etj., kanë  një funksion të rëndësishëm shoqëror, që është bashkimi i përkrahësve të tyre në një përpjekje  kolektive për mbrojtjen e interesave të grupit a bashkësisë njerëzore.

Formulimi i ideologjisë kombëtare shqiptare 

Në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX, prania e katër feve dhe sekteve fetare ishte një  pengesë e madhe për bashkimin politik të shqiptarëve, që kërkonte momenti historik në atë kohë  të tatëpjetës së pandalshme të perandorisë osmane. Në këtë situatë të ndërlikuar si askund tjetër më shumë, etërit e Rilindjes sonë kombëtare iu drejtuan një force bashkuese që do të mund të  rrafshonte gardhet e ndasisë fetare. Kjo ishte vetëdija etnike “Ne” e tyre, që lidhej me, dhe buronte  nga, gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët, nga doket dhe kultura e tyre materiale dhe  shpirtërore e trashëguar. Ata kuptuan se forca bashkuese e kësaj vetëdije etnike ishte shumë më e  madhe se gjithshka që i ndante.

Me mënçuri që, sado të lëvdohet, nuk arrin të mbivlerësohet, rilindasit tanë kuptuan se mjeti më  efikas i bashkimit politik të shqiptarëve ishte formulimi dhe zhvillimi, mbi bazën e kësaj vetëdije  etnike, i një ideologjije kombëtare shqiptare, si kusht i domosdoshëm i bashkimit kombëtar në  një kohë kur feja dhe sektet fetare edhe në Evropën perëndimore luanin një rol të madh në  mendësinë, botëkuptimin dhe formimin shpirtëror të popullit, duke dalë mbi vetëdijen etnike siç  ndodhi në rastin e formimit të shtetit të Belgjikës. Duke njohur rolin madhor dhe epërsinë e  identitetit etnik shqiptar si forcë e bashkimit kombëtar, më e madhe se çdo forcë që mund t’i ndante, PashkoVasa (1825 – 1892) doli me moton e famshme “Feja e shqyptarit a shqyptaria”, si  një lloj feje civile kombwtare, që qëndronte mbi çdo fe tjetër. Kjo moto nuk mbeti thjesht një  parullë, por u bë forcë vepruese, që u pasqyrua jo vetëm në tërë veprimtarinë e rilindasve, por  edhe të tërë popullit shqiptar dhe heronjve të tij, përfshirë këtu martirët e klerit katolik, ortodoks  dhe musliman të Shqipërisë.

Formimi i shtetit kombëtar shqiptar kërkonte përpunimin e një ideologjije kombëtare, duke  përfshirë një mit krijimi a themelimi, një histori të prejardhjes së popullit. Rilindasit tanë e  zhvilluan ideologjinë kombëtare shqiptare rreth dy boshteve themelore, që ishin prejardhja e lashtë  e popullit shqiptar dhe lufta e tij kundër superfuqisë osmane në shekullin XV, të cilat shërbyen  edhe si mite historike të shqiptarëve. Për mitin e krijimit ata shfrytëzuan sukseset e historiografisë  dhe gjuhësisë europiane të kohës, që kishin provuar prejardhjen e lashtë dhe vazhdimësinë iliro shqiptare, duke fillluar me Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716) e me historianë si Johann Erich  Thunmann (1746-1778), Malte-Brunn (1775-1826), Johann Georg von Hahn (1811-1869) dhe  Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861, gjuhëtarë tw rangut botwror si Franz Bopp (1791-1867),  Holger Pedersen (1867-1953), Kretschmer (1866-1956), etj. Për mitin e Skënderbeut ata  shfrytëzuan historinë e heroit tonë kombëtar, siç ishte e bërë e njohur në tërë Europën, kryesisht  me veprën e historianit shqiptar të shekullit XVI, Marin Barletit. Kjo ideologji kombëtare ka  ardhur duke u zhvilluar dhe konsoliduar, me përkrahjen e shtetit shqiptar, gjatë tërë shekullit të  kaluar. Dhe koha provoi se rilindasit tanë kishin të drejtë kur besonin se forca bashkuese e kësaj  ideologjije kombëtare ishte aq e madhe sa të hiqte gardhet që kishte krijuar besimi i popullit në fe  dhe sekte të ndryshme fetare.

Rilindasit shqiptarë, bashkë me ata arbëreshë të Italisë, patën meritën e krijimit të një sërë veprave  artistike, duke përfshirë poema për heronj e ngjarje të mëdha historike, që i bënin jehonë “Motit të  Madh” të Shqipërisë, duke krijuar një tabllo artistike të historisë e prejardhjes së popullit e të  kombit shqiptar. Ata filluan studimin sistematik të fjalorit dhe të gramatikës së gjuhës shqipe,  mblodhën e botuan ligjin dokësor të Lekë Dukagjinit, bënë të njohur në botë kostumet kombëtare  dhe thesare të tjera etnografike, botuan vëllime të tëra të folklorit kombëtar shqiptar dhe arbëresh,  nisën kërkimet historike gjuhësore, etnografike, etj. Ideologjisë kombëtare i shërbyen edhe ngritja,  njera pas tjetrës, e organizatave dhe shoqatave patriotike dhe kulturore në mërgim e në Shqipëri,  në gjuhën shqipe (Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip, Shoqëria e Stambollit me degët ë saj në  Rumani dhe Egjipt, Shoqëria Drita, shtypi periodik si revista Drita e pastaj Dituria, Shoqëria  gjuhësore-letrare Bashkimi në Shkodër, etj.), por dhe në gjuhë të huaja, tekste shkollore shqip me  alfabete të ndryshme. Ata krijuan gazetat e para dhe themeluan publicistikën shqiptare. Mitit të  madh kombëtar të shqiptarëve i shërbyen zbulimi prej tyre i një sërë simbolesh kombëtare si  flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare (zbuluar nga Faik Konica 124 vjet më parë, portretet, armët dhe përkrenarja e tij, dhe përpjekjet e para për krijimin e një himni kombëtar.

Në këtë tabllo të ideologjisë kombëtare shqiptare të Rilindjes kanë kontribuar thelbërisht edhe një  sërë dijetarësh europianë të rangut botëror me punimet e tyre për studimin e gjuhës shqipe dhe  prejardhjes ilire të saj, të historisë së formimit të popullit shqiptar, me kërkimet arkelogjike dhe  etnografike që kryen në trojet shqiptare.

Ideologjia kombëtare në nivelin e çështjeve botore (publike) synonte t’i bënte shqiptarët të  vetëdishëm për identitetin e tyre etnik dhe historik, duke u kujtuar atyre historinë e lavdishme  dhe luftrat e të parëve tanë si një argument i veçantë për nevojën, por edhe mundësinë, e çlirimit  kombëtar, për të jetuar të lirë e për të krijuar shtetin e tyre të pavarur. Në këtë mënyrë, ideologjia  e Rilindjes Kombëtare u dha shqiptarëve një imazh ideal të identitetit etnik, shoqëror e kulturor

të ‘Vetes’ dhe ia paraqiti atë imazh ‘Të Tjerëve’, botës së huaj, në një kohë kritike për fatet e  popullit dhe kombit. Në veprën e Rilindasve atdheu i lashtë i shqiptarëve paraqitet si një zonjë e  rëndë” (Ti ke pas ken nji zoj e rand ”i këndoi i ngashëryer Pashko Vasa), ndërkohë që Naimi  profetizonte një të ardhme të ndritur: “Lum kush të ronjë/Ta shohë Zonjë”. Duke huazuar  shprehjen e historianit anglo-irlandez Benedkt Anderson (1936-2015), në këtë imazh të mitit  kombëtar shqiptar “e shkuara dhe e ardhmja shqiptare shkriheshin në të tanishmen” rilindase. Ky  mit kombëtar, ishte pjesë thelbësore dhe e pandashme e ideologjisë kombëtare shqiptare, si dhe  ideologjive kombëtare të çdo populli tjetër. Nënkuptimi simbolik i mitit ishte i qartë: Shqipëria  ishte dikur një zonjë e rëndë, andaj ajo do të bëhet prapë e tillë.

Në një rajon si Ballkani i asaj kohe, që po ndryshonte politikisht me shpejtësi të madhe, historia  etnike dhe kulturore e shqiptarëve u tregoi rilindasve se në në dikotominë Lindje-Perëndim,  imazhi shqiptar përputhej me këtë të fundit. Kjo ide e rilindasve gjeti shprehjen në figurën e  bukur e kuptimplote të Naimit: Pa jakë o dritë e diturisë / Që lind andej nga perëndon! ” Ky  imazh rilindas i shqiptarëve u përvetësua jo vetëm nga intelektualët shqiptarë dhe elita e tyre  feudale, por u bë pjesë e përfytyrimit popullor shqiptar për të ardhmen e Shqipërisë dhe thirrje  për të punuar në të gjitha mënyrat, duke përfshirë luftën e armatosur, për ta fituar atë të ardhme.  Ideologjia kombëtare nuk ishte mësim që iu dha popullit shqiptar së jashtëmi, por ajo lindi së  brëndëshmi, në kushtet e Zeitgeist-it, ose frymës së kohës, dhe kushteve të favorshme të jashtme  që krijoi shëmbëlli dhe lufta e popujve të tjerë europianë për të krijuar shtetet e tyre kombëtare.

Miti i Skënderbeut ishte përjetësuar në historinë që kishte shkruar për heroin Barleti dhe disa  historianë në vende të tjera të Europës, por në poemën Istoria e Skënderbeut të Naimit, heroi  merr tiparet mesianike të shpëtimtarit të kombit e të popullit shqiptar. Duke lexuar Naimin,  njeriu nuk mirret me verifikimin e së vërtetës historike a me vlerësimin e realitetit historik të  poemës, por përveton me emocion kuptimin simbolik të veprës heroike të Skënderbeut, që  bashkoi për herë të parë të gjithë shqiptarët në luftën për liri, kundër pushtimit osman. Është ky  kuptim simbolik që u jep vlerën e madhe bashkuese dhe “shënjtëron” mitin kombëtar për  Skënderbeun.

Nga fundi i shekullit XIX, këtë ideologji kombëtare, Sami Frashëri, e formuloi si një program  politik për formimin e shtetit shqiptar, në veprën Shqipëria ç’ka qënëçështëe ç’do të bënetë.  Kështu ideologjia kombëtare shqiptare u formua rreth dy boshteve themelore: rreth idesë së  prejardhjes së lashtë iliro-pellazge të popullit shqiptar (tw formuluar dhe argumentuar në  vëllimin monumental “Studime Shqiptare” Albanesische Studien. F. Mauke, Jena, 1853 të J.G.  von Hahn-it), dhe luftës së tij të pashëmbullt nën udhëheqjen e Skënderbeut. Rreth këtyre dy  boshteve u krijuan veprat artistike e kulturore që madhështonin ato dy momente të shquara të  historisë së shqiptarëve. Shumë shpejt, në frymën e luftës për liri, ato mite u shënjtëruan dhe  emocionet që ngjallnin u romanticizuan dhe u pasqyruan në shkallë të ndryshme dhe në  historishkruarje.

Rrënjët historike të ideologjisë sonë kombëtare 

Rilindasit shqiptarë nuk e krijuan ideologjinë kombëtare shqiptare nga e para. Merita e tyre  historike ishte se ata kultivuan dhe ngritën në nivelin e një ideologjie kombëtare farën e lashtë të  identitetit, atdhetarisë e të vetëdijes etnike arbërore, dëshirën e arbër-shqiptarëve për liri, të shprehur në kryengritjet dhe kundërshtitë e paprera shekullore kundër sundimeve të huaja  romake, bizantine, bullgare, sërbe dhe osmane.

Është e njohur se lufta për Shqipëri e kryengritësve shqiptarë të mesit të shekullit XIX i parapriu  me dekada zhvillimit të Rilindjes dhe formulimit të ideologjisë kombëtare shqiptare, siç  dëshmohet nga folklori i kohës:

Pse lufton a derëzi ? 

As për mua as për ti, 

Po për gjithë Shqipëri. 

Edhe pse nuk ishte kërkesë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, sidoqoftë kjo tregonte se  tharmi i shpirtëror i luftës “për Shqipëri” ishte aty, në mëndjet dhe zemrat e kryengritësve, duke  treguar se ata jo vetëm ishin gati, por aktualisht luftonin “për gjithë Shqipëri”. Shekuj para rilindasve, Skënderbeu gjithashtu theksonte se nuk ishte ai që po u sillte lirinë, por  atë e gjeti në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij. Të vihet re se lufta e Skënderbeut ishte luftë  tërësisht kombëtare, dhe jo fetare, siç është karakterizuar gabimisht në ndonjë rast. Këtë karakter  të pastër kombëtar e dëshmon pa dykuptimësi fakti që nën komandën e tij u vunë vetëm forca  shqiptarësh etnikë. Ai luftoi kundër osmanllinjve si pushtues të atdheut të tij, siç luftoi edhe  kundër venedikasve të krishterë, që mbanin të pushtuara troje gjatë bregdetit shqiptar.  Vetë fakti që shqiptarët, si të vetmit pasardhës të ilirëve që i shpëtuan romanizimit, e më vonë  sllavizimit, mbijetuan edhe pas 20 shekuj sundimesh etno-asimiluese, dëshmon midis të tjerash,  në mos para së gjithash, se ky popull ka ruajtur një mit të madh etno-historik, pa të cilin nuk  mund të kuptohet mbijetesa e tij.

Ky mit historik nuk është një deduksion teorik; prania e tij ndër shqiptarët dokumentohet të  paktën prej 6 shekujsh, që nga shekulli XV në Historinë e jetës dhe veprave të Skënderbeut të  Marin Barletit, sidomos në fjalimet që Skënderbeu u mbante ushtarëve të tij, në të cilat u bënte  jehonë lavdisë dhe trimërisë të të parëve arbërorë, prejardhjes së lashtë epirote/arbërore të  popullit të tij, duke u bërë thirrje për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut.

Që Skëndërbeu, e me të mbase edhe elitat feudale të Shqipërisë, ishte i informuar mirë për  prejardhjen e lashtë epirote të shqiptarëve dhe të luftrave të Piros së Epirit në Itali, kjo del qartë  nga letra që ai i dërgonte princit të Tarantos, në të cilën i kujtonte: “Në se kronikat tona nuk na  gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se, në kohë të tjera, paraardhësit tanë, kaluan  në vëndin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se, më të  shumtën e herës, u ndanë me nder se sa me turp.” (“Se le nostre cronache non mentono, noi ci  chiamiamo Epiroti……”). Akoma më thellë në kohë, themelimi i shtetit të Arbrit, është një provë  e ekzistencës, qysh në Mesjetën e Mesme, jo vetëm të një vetëdije të përbashkët etnike arbërore,  por edhe të një synimi për krijimin e një shteti etnikisht arbëror.

Fjalët e Skënderbeut për prejardhjen e lashtë të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dëshmojnë  se, të paktën që nga shekulli XV, shqiptarët kishin një mit historik të prejardhjes e të “themelimit  kombëtar”. Dhe ruajtja e atij miti historik kombëtar që nga Lashtësia iliro-epirote deri në  Mesjetën e Vonë, flet qartë për një vazhdimësi të pandërprerë të vetëdijes etnike iliro-arbërore.  Edhe sikur ky mendim i Skënderbeut të ishte një mit historik, ai duhet studiuar po të mbahet  parasysh se për historishkruarjen e sotme, një popull dhe historia e tij nuk mund të njihen pa  njohur edhe në ç’farë ai ka besuar.

Duke u kthyer te çështja e idealizimit të figurës së Skënderbeut në veprën e Barletit, duhet  mbajtur mënd mirë se ai ishte një tipar gjithësor i historishkruarjes europiane të kohës, që  vazhdoi deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, me themelimin e historishkruarjes shkencore  nga Leopold von Ranke. Duke lexuar historinë e Barletit ne nuk mësojmë vetëm të vërtetat historike që ajo përmban. Në glorifikimin të bëmave të Skënderbeut që ishte karakteristik për  kohën zbulohet një simbolikë dhe vlera të larta morale, që janë aq të rëndësishme për edukimin e  dashurisë për atdheun e për lirinë kombëtare. (gazetadielli)

 

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit