
Nga Xhavit LIPAJ, Zvicër
Hiq kurr, as atëherë e as dy ditë mbas atëhershi
Hiq kurr.
As në çastin kur asgjëja,
u përkul mbi vetvete
dhe u pa si pasqyrë,
pa shëmbëlltyrë.
As atëherë kur drita flaku hijen e vet
dhe mbeti e verbër,
as dy ditë mbas,
kur hija u ngrit si dritë, pa burim.
Hiq kurr.
Jo nga koha,
se koha ishte plagë që rridhte jashtë përjetësisë.
Jo nga hapësira, por hapësira ishte frymë që s’kishte ku të frynte.
As atëherë,
kur emri i gjërave u zhduk
dhe fjalori i universit u bë hi,
as dy ditë mbas, kur hiri e mohoi zjarrin.
Hiq kurr.
Një qark i mbyllur në qark,
një fjalë e shkruar me alfabet që s’ekziston,
një kumt i thënë vetëm prej heshtjes
që nuk njeh as dëgjues, as dëgjim.
Hiq kurr.
As atëherë e as mbas atëhershit,
se asgjëja nuk vjen, se boshllëku nuk shkon,
se spiralet s’kanë qendër,
dhe qendra është vetë mungesa.
Hiq kurr,
formula e pathënë,
kodi i pavetëdijes,
gdhendja e padukshme, në gurin e palindur.
Vetëm kështu…