Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën që do të mbahet këtë të diel, më 14 shtator, në Hagë, e organizuar nga diaspora shqiptare dhe organizatat e dala nga lufta.
Në një deklaratë për media, Haradinaj theksoi se kjo protestë përçon një mesazh të fuqishëm për drejtësinë, duke rikujtuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.
“Personalisht nuk mund të jem i pranishëm, por siç e dini, gëzojmë respekt dhe autoritet te një pjesë e madhe e diasporës, përfshirë edhe patriotët e hershëm shqiptarë dhe të gjithë ata që janë liridashës. E mbështes fuqishëm këtë protestë si një porosi se lufta jonë ishte e drejtë, ishte çlirimtare dhe mbetet e tillë. Ftoj të gjithë ata që kanë mundësi të marrin pjesë dhe të japin një mesazh të qartë: se lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme”, tha Haradinaj.
Këto komente, ai i bëri pas homazheve të zhvilluara në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton rtk.