Ja se si e përjeton një kronikë të zezë që ndodhi sot në mesditë në Gjilan bashkëshortja e Heroit të Kombit, Agim Ramadani, zonja Shukrije Ramadani.

Ngjarje që ka shokuar të gjithë shqiptarët kudo që gjenden.
Ja se si e përshkruan me fjalë zemre zonja Ramadani:
Quo vadis, qyteti jonë?!
Sot Gjilani u trondit nga plumbat që morën tre jetë njerëzish, në mes të qytetit.
Një tjetër ditë e zezë.
Një tjetër lajm që s’duhej të ndodhte.
Dje, të rinjtë nga diaspora u përplasën për tejkalime banale, duke lënë pas gjurmë dhune.
Para tre ditësh, adoleshentë dhunuan shoqen e tyre – e rrahën brutalisht dhe e filmuan, për ta shpërndarë në rrjete sociale, për ta tallur!
E ne, njerëzit e thjeshtë, të nemitur, vetëm i shikojmë këto pamje, i dëgjojmë këto zëra, e mbajmë frymën, duke u lutur në heshtje:
Që të jenë fëmijët tanë mirë.
Që të jenë të sigurt familjarët tanë që kanë dalë për një kafe, një shëtitje, një çast të bukur pushimi.
Po si do ta presin mbrëmjen sot dy familjet që i ra kjo hata mbi kokë?!
Si do t’i mbyllin sytë sonte, kur gjithçka iu ka ndalur në mes të ditës?
Thuhet: një doras në arrati, i plagosuri i katër në agoni!
Por, a nuk jemi të gjithë në agoni si shoqëri, si komb, si qytetarë të këtij vendi?
Çdo ditë që zbardhë, duket si një tjetër faqe e një lajmi të zi.
Na vret dhuna.
Na lodh padrejtësia.
Na frikëson mungesa e sigurisë.
Na hesht ndjenja që dikur na mbante gjallë – dashuria ndaj atdheut, sigurisë dhe qytetit ku u rritëm!
Kur do të forcohet drejtësia në Kosovë?
Kur ligji do të vlejë për të gjithë njësoj?
Kur shteti do të na mbrojë – jo veç me fjalë në konferenca, por me vepra në rrugë?
Na duhet më shumë se heshtje.
Na duhet drejtësi.
Na duhet ndërgjegje.
Përgjegjësi – pse u lëshua nga burgu fajdexhiu që sot kreu krimin e trefishtë?!
Dhe sa fajdexhinj të tjerë sorollaten të lirë në qytetin tonë?!
Kush merr përgjegjësinë për këta njerëz që po na e zënë frymën?!
Ngushëllime të përzemërta familjarëve që nga sot jetën do ta kenë ndryshe!