Ministri gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, ka dalë kundër thirrjeve të disa vendeve europiane për të bojkotuar Eurovisionin 2026 në rast se Izraeli lejohet të marrë pjesë.
Në një deklaratë publike, Weimer kritikoi ashpër idenë e përjashtimit të Izraelit, duke theksuar se kjo bie ndesh me qëllimin dhe historinë e Eurovisionit, i cili sipas tij është krijuar për të bashkuar kombet përmes muzikës, jo për t’u kthyer në “gjykatë politike”.
“Përjashtimi i Izraelit sot do të thotë se po shkojmë kundër idesë themelore të Eurovisionit dhe po e kthejmë një festë të mirëkuptimit mes popujve në një gjykatë ligjore,” tha ministri gjerman.
Disa vende europiane kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në festivalin që do të mbahet në Vjenë në maj 2026, nëse Izraelit i lejohet të konkurrojë. Deri më tani, Spanja, Irlanda, Sllovenia, Islanda dhe Holanda kanë paralajmëruar bojkotin.
Ndërkohë, Belgjika, Suedia dhe Finlanda janë në proces shqyrtimi dhe pritet të marrin një vendim përfundimtar deri në dhjetor.
Ministri gjerman theksoi se artistët duhet të gjykohen për artin e tyre, jo për kombësinë. Ai paralajmëroi se kthimi i Eurovisionit në një platformë për përjashtime politike do të dëmtonte misionin e tij themelor.
“Eurovision bazohet në parimin se artistët vlerësohen për artin e tyre dhe jo për kombësinë. Kultura e anulimit nuk është zgjidhje – zgjidhja është diversiteti dhe kohezioni,” shtoi Weimer.
“Pikërisht sepse Eurovision lindi nga rrënojat e luftës, ai nuk duhet të bëhet një skenë përjashtimi,” përfundoi ai.
Eurovision është shpesh arenë e tensioneve gjeopolitike. Rusia u përjashtua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Bjellorusia u përjashtua një vit më parë pas zgjedhjeve të kontestuara të Presidentit Alexander Lukashenko.
Në këtë kontekst, pozicioni i Gjermanisë mbetet delikat. Për shkak të përgjegjësisë historike për Holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania është ndër mbështetëset më të forta të Izraelit, së bashku me Shtetet e Bashkuara.
Festivali Europian i Këngës 2026 do të mbahet në Vjenë, Austri. Vendet pjesëmarrëse kanë afat deri në dhjetor 2025 për të konfirmuar ose tërhequr pjesëmarrjen e tyre, transmeton gtema.