/ Winterthur, 30 nëntor 2024 /
Në katër anët e Zvicrës, prej fillim të nëntorit, kanë filluar të organizohen manifestime të shumta për Nëntorin e Shqiptarëve. Jo vetëm këtë vit, por çdo vit, ka me dhjetra manifestime vetëm në Zvicër dhe vazhdojnë deri fundjavën e parë të dhjetorit. Kësaj here zgjodhëm të jemi në mesin e dardanëve në ShKA “Dardania” në Winterthur, duke e ditur rëndësinë e madhe të mbrëmjes, përveç nëntorit tonë, konkretisht mbrëmë u festua edhe 30 vjetori i fillimit të punës së ShKA “Dardania” që është oksigjeni i kulturës shqiptare në Zvicër. Me qindra programe nëpër Zvicër dhe jo vetëm, por edhe në atdheun tonë. Herë me 90 e herë mbi 100 pjestarë brenda kësaj shoqërie, duke filluar nga grupi i fëmijëve e deri te seniorët, të jep ndjesinë se je në atdheun tonë, duke e përcjellë një koncert të një shoqërie profesioniste, duke luajtur balerinët profesionistë.
Këtu te ShKA “Dardania” është krejt ndryshe, sepse këtu anëtarët e ShKA “Dardania” janë nëpër punë të ndryshme në përditshmëri dhe mbi 90 përqind e shoqërisë janë të lindur në Zvicër, të cilët këndojnë, vallëzojnë e recitojnë bukur në gjuhën e ëmbël shqipe. Kryesia e kësaj shoqërie, prej fillimit e deri më sot, nuk është ndalur së vepruari, duke lënë shumë punë familjare anash, e duke u përkushtuar me gjithë familjen në shoqëri. Mjafton ti shikosh veshjet kombëtare, deri pesë lloje të veshjeve. Madhështi, shkurt e shqip, madhështi.
Valle të të gjitha viseve shqiptare, duke filluar nga Lugina e Preshevës, Karadaku e deri te Çamët e Arbëreshët. Kush di tjetër, përveç promotorit të kësaj shoqërie z. Shefqet Cakolli, i cili ka një durim e diciplinë të paparë. Mjafton një orë të rrish me fëmijë dhe e sheh se sa e vështirë është, e të mos flasim që ata ti mësosh të vallëzojnë dhe të dalin para një publiku të madh e në mesin e tyre edhe miqve zviceranë. Sado që të shkruash për këtë shoqëri është pak, sepse ka një kala suksesesh. Edhe pse kemi shkruar me dhjetra herë gjatë kësaj periudhe sa i kam gjetur në Zvicër, çdo herë gjenë diçka që duhet përmendur.
Atë që s’e ka parë syri i kamerave do të pëpiqem ta qëndis nga syri im dhe shpirti që e ndjeu programin e mrekullueshëm, ku edhe nga vetë specialistë të valleve që kishin ardhur nga Shqipëria e Kosova, publikisht e vlerësuan me notën më të mirë. Me një sallë të bukur, jo restoran, sallë profesionale, që ndjehesh komod. Skena e jashtëzakonshme, ashtu siç dinë vetë dardanët të organizohen. Z. Cakolli i shoqëruar me kryesinë, por edhe nga vajzat e tij, bashkëshortja, vëllezërit, gjithnjë ishin në lëvizje, shikonin çdo detaj që të dalë mirë. Ashtu siç ishte paraparë, në orën 19:00 të filloi kokteji. Kishin ardhur personalitete të ndryshme edhe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe nga e gjithë Zvicra.
Shoqëri që veprojnë në Zvicër, LAPSh i Kantonit Cyrih, ish valltarë, afaristë, dashamirës të artit. Vërtetë, sa herë që kam shkruar për ShKA “Dardania” është e vështirë të vendosësh pikën në fund të shkrimit, nga ajo që sheh dhe nga ajo që dëshiron ta publikosh. Programi festues ishte i përmbushur me disa pika dhe në fillim të sallës shpërndahej programi për të pranishmit, një risi në Zvicër. Manifestimi filloi me një moderim të shkëlqyer, sa që u vlerësua nga të gjithë të pranishmit nga bija e z. Shefqet Cakolli, znj. Albulena Cakolli Kqiku. Salla ishte e mbushur përplot dhe kësaj here me ftesa. Moderatorja e tregoi fillimin e programit, jo nga skena, por nga publiku, duke ia bërë me dije se sonte çdo sekond të kësaj feste do ta përjetojmë. Znj. Cakolli Kqiku ishte e shoqëruar me një djalë të vogël për dore, duke biseduar për emrin Dardania, se çka është Dardania dhe nga vjen ky emër.
Që të dy ishin me veshje kombëtare. Me t’u ngjitur në skenë u ulën në skaj të sallës, që moderatorja e luante rolin e dyfishtë, të moderatores dhe nënës, duke treguar histori fëmijëve të saj. Gjersa u ulën, skena ishte fantastike, 30 vjet Dardania e mbushur kuq e zi dhe në sfond të petkut të madh që e mbuloi gjithë skenën shiheshin nënshkrimet e anëtarëve të ShKA “Dardania” dhe poshtë skenës përsëri Dardania në gjuhën shqipe dhe gjermane. Ndërsa, në anën e majtë dhe të djathtë, shiheshin dy ushtarë dardanë-ilirë dhe në gjoks kishin emrin Dardania. Fillimi i programit na dha emocione të papara. Fiugura e perandorit Justinian dhe Teodorës u lajtën nga Klodian Elshani dhe Besiana Mazrekaj, grupi i fëmijëve, anëtarët e shoqërisë.
Pastaj e gjithë salla u ngrit në këmbë për të nderuar hymnin kombëtar dhe gjithë dëshmorët e kombit që dhanë jetën për flamurin tonë kuq e zi. Programi vazhdoi me këngë në kor, pastaj fjalën e mori z. Shefqet Cakolli duke përshëndetur të gjithë të pranishmit. Duke falrnderuar prindët, shoqërinë, prej më të voglit e deri te më i moshuari. Pas një programi të mrekullueshëm të mbushur me plot befasi për të gjithë të pranishmit, me mozaik vallesh nga grupi i fëmijëve, këngë, valle instrumentale, fjala iu dha z. Shemsi Syla që kishte ardhur nga Kosova në një takim të 01 dhjetorit, por me shumë respekt e nderoi z. Cakolli dhe gjithë shoqërinë. Z. Shemsi Syla është zv. Ministër i Mbrojtjes, i cili ishte i shoqëruar nga Deputeti Enver Dugolli. Mysafir nga Kosova ishte edhe studjuesi Sami Piraj, Visar Munishi dhe Dilaver Kryeziu.
Fjala përshëndetëse iu dha z. Shemsi Syla, i cili, ndër të tjera, tha:
“Ju përshëndes të gjithëve dhe urime festën e flamurit, 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 30 vjetorin e ShKA “Dardania”! Shefqetin e njoh moti. Asesi nuk mund të fsheh emocionet në këtë mbrëmje, kur pashë që në fillim një paraqitje emocionale të disa anëtarëve të ShKA “Dardania” me ate program të bukur. Jemi së bashku me mikun tim, z. Dugolli. Erdhëm ta nderojmë shokun tonë të mirë. I jemi mirënjohës Shefqetit dhe të gjithë atyre që e kanë ndihmuar. 30 vjet në muajin e shenjtë të nëntorit. Po flasin veprat. Një histori që ngërthen në vetvete vlerat më të mira të kombit.
Të ketë shëndet Shefqeti edhe më tutje dhe vitet ti shohim si numra. Ne, dje ushtarët e UÇK-së, mbanim këto vlera e sot ushtarët e rreshtuar në ushtri ushqehen me këto ndjenja dhe sot vjen edhe nga këndej edhe njëherë për ta ruajtur traditën dhe vlerën e luftës. Kështu ruhen traditat tona e gjuha jonë. Sukses i madh i kësaj plejade të tërë që me shumë mund dhe përpjekje vetanake, por të pandalur erdhën në këtë kulm. Vazhdoni! Ishim në përvjetorin e 20-të, tash 30-të. Të vazhdojë duke ruajtur kulturën, traditën e trashëgiminë. Këta burra, gra, fëmijë, po i këndojnë trimërisë, dëshmorëve dhe të ardhmes. Është për çdo respekt. Ky është burim i pashterrshëm që frymëzon të ardhmen që po vjen. Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju uroj gëzuar dhe në të ardhmen, besoj shumë, do të jemi edhe më afër juve me mbështetje, sepse i keni mbijetuar gjithë këtyre viteve me gjoks.
E kemi atë dëshirë do t`na kuptoni se edhe ne kemi shumë punë në atdheun tonë. E ardhmja do të jetë shumë më e mirë. Keni krijuar dhe po krijoni brez, që do ta mbajë të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë.”
Moderatorja ia bëri me dije edhe mysafirëve të shumtë se sot nuk është në rolin e moderatores, por në rolin e përrallë tregueses. Kur dilte një vajzë e vogël në skenë, tregonte se Dardania do të ketë jetë të gjatë. E kuptonte edhe ritmin e zemrës së saj edhe pse ishte shumë e vogël, sigurisht kujtonte edhe nënën e saj që ka luajtur në skenë me ‘Dardaninë’ e sonte, përsëri, është në skenë dhe dikur do të jetë edhe kjo princeshë e vogël në skenë, njëjtë si shumë valltare të tjera, që para 30 viteve ishin shumë të vogla.
Vallet mozaik që është trashëguar si mozaik ngjyrash që përmes valleve tregojnë bashkimin e trojeve tona. Nuk mungoi edhe veshja zvicerane në skenë si respekt dhe falenderim për popullin dhe shtetin zviceran, që gjithmonë ka pasur mbështetje.
Muzikologu, z. Sami Pirraj, para të pranishëmve u shpreh me disa fjalë të mëdha vlerësuese për ShKA „Dardania“, ngase e njeh mirë punën e kësaj shoqërie, duke qenë kontribues edhe në monografinë e ShKA „Dardania“. Z. Pirraj, si ekspert, ndër të tjera, tha:
„Hyrja e programit ishte e jashtëzakonshme. Shefqeti, me detajet më të imta, përfaqëson një kolorit të traditës. Shefqetin e njoh qysh nga Kosova. Punën e nisi më 1994, atëherë kur e filloi ishin kohë të vështira, me një situatë të rëndë që e dimë të gjithë, por frymën patriotike e mbajti edhe në jetën artistike edhe atë për 30 vjet me radhë. Kjo është punë e madhe. Në koktej, në hyrje më ranë në sy edhe çokolladat e vogla që e kishin llogon e ShKA „Dardania“. Kjo dëshmon se çdo gjë është studjuar që të dalin shumë mirë, pra është bërë punë e madhe. Në shenjë respekti për punën e tij dua ti dhuroj diçka. Dy libra shumë të rëndësishëm edhe atë me zemër.
Vallja e arbëreshëve ishte emocion në vete. Luajtën një skenë të bukur të një njohjeje të re të një çifti, që të dukej se nuk je duke parë valle, por një dramë. Duatrokitjet tregonin se sa të mirë janë. Vallja e vajzave, grupi i vajzave të vogla, vallja tiranase nga grupi i mesëm ishin me një paraqitje të bukur.
Fjala përshëndetëse iu dha edhe Visar Munishi, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, gjegjësisht në Degën e Folklorit me disa fjalë vlerësoi lart punën që po bënë kjo shoqëri.
Ai tha se sot jemi mbledhur për të kremtuar një moment të veçantë. Është bërë shtëpia e artistëve. Në këto tri dekada „Dardania“, ka arritur të ndërtojë një platformë. Shumë suksese edhe në të ardhmen.
Ndërsa z.Dilaver Kryeziu, koreograf i Ansamblit Akademik, drejtori më i suksesshëm i Ansamblit Shtetëror “Shota”, i cili shumë shfaqjeve u ka dhënë shpirt, ndjenja dhe pavdekësi që thuajse në çdo përvjetor të ShKA „Dardania“ është prezent dhe ai pasi përshëndeti të pranishmit, tha:
„Me folë nuk di shumë dhe nuk e kam merak, por po ju them urime. E kemi filluar bashkë dhe jam i lumtur që sot i shoh edhe studentët tanë dhe kemi një valltar të ‘Shotës’ së dikurshme, z. Nexhat Sahitaj.
Edhe deputeti i VV-së, z. Enver Dugolli, pasi përshëndeti dhe uroi për festat, tha:
“Është një surprizë e këndshme që jam në mesin tuaj. Fjalimi im, ndoshta, nuk ka kuptim pas asaj që pamë në program. Kënga e vallja dhe hareja kurrë nuk janë ndalur te ne shqiptarët. Kujtojmë Legjendarin, Adem Jashari, i cili, këngën nuk e ndali edhe sa luftonte, duke i kënduar Shqipërisë e flamurit. Ju lumtë që po e ruani shqiptarinë. Përmes programit e pashë Shqipërinë etnike. Ju lumtë.”
Edhe Phd. Dashnim Hebibi, i cili ka përcjellë ShKA „Dardania“ nga viti 2000 dhe ka bërë shumë shkrime, intervista televizive dhe përmes mediumeve të shkruara, me disa fjalë tha:
„Sa herë që kam shkruar e shkruaj për Dardaninë e z. Shefqet Cakolli, e kam problem të gjej fundin, sepse gjithmonë më dukej se jam në fillim. Prandaj, po shkëpus disa fjalë.
I nderuar organizator i kësaj mbrëmjeje festive;
Të respektuar anëtarë të Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania”;
Të dashur të pranishëm;
Degët e shpërndara të një trungu të vetëm mund t’i qëndrojnë palëkundshëm erës, sado e furishme të jetë ajo. Ne, bijtë e mërguar të Shqiptarisë, kemi dëshmuar se dimë të qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm për t’u ndjerë më të fortë e më të sigurtë, por ngaqë duke qëndruar bashkë, ne kemi frymuar e vepruar si një trup i vetëm, në shumë segmente të jetës. Këtë unitet, më së miri e ka shpërfaqur Sh.K.A. “Dardania” gjatë tri dekadave të mbushura përplot aktivitete kulturore.
Edhepse jam i vetëdishëm që do t’ia thyej parimin e modestisë, nuk mund të mos shpreh lavdërimet e pakursyera për kontributin e pashoq që ka dhënë shumë i respektuari nga të gjithë ne z. Shefqet Cakolli në kultivimin e etnokulturës shqipe, përmes angazhimit të tri brezave të familjes së tij dhe përmes shpalosjes së shpirtit të tij kreativ e organizativ, bashkë me çdo anëtar të kësaj shoqërie kulturore artistike.
Familja, për mendësinë shqiptare, historikisht ka shërbyer si institucion në miniaturë. Falë këmbëngulësisë për të mbrojtur pragun e shtëpisë deri në vetflijim, një familje si Jasharajt e Prekazit, ka krijuar rrëfimin më prekës e më të guximshëm të qëndresës heroike, i cili mund të jetë ndër të rrallat e këtij lloji në botë.
Ngjashëm, në fushën e kultivimit të kulturës kombëtare, përmes artit të këndimit, vallëzimit e aktrimit, Familja Cakolli, ka lënë gjurmë të pashlyeshme ndër komunitetin shqiptar këtu në Zvicër.
Me këtë rast, falenderoj organizatorin për ftesën dhe mundësinë që të shpreh mirënjohjen time, në emër të Institutit Studimor Helvetik për Evropën Juglindore, në emër të Portalit ‘HelveticAlForum’ dhe Shoqatës Bëmirëse ‘Lugina e Preshevës’, për kohën, përkushtimin dhe djersën e derdhur në shërbim të kultivimit të traditës së popullit më të lashtë mesdhetar, i cili, ndër shekuj u detyrua të ndërrojë emrin, territorin, por diti të qëndrojë si i vetmi i llojit të vet, pikërisht si dy kokat e shqiponjës në një trup të vetëm. Urime dhe jetë të gjatë “Dardanisë”!
Edhe Studjuesi Phd.Femi Cakolli, i cili është edhe një pastor, veprimtar dhe studjues i letërsisë nga Dardana, pasi foli për historinë e perandorit Justinian dhe Teodorës, pastaj për Dardaninë, vlerësoi lart punën e madhe që ka bërë e që po bënë ShKA „Dardania“.
Znj. Arjeta Gallapeni Simnica, Konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih, pasi uroi të pranishmit për festat e nëntorit, përgëzoi edhe punën e madhe që ka bërë ShKA „Dardania“ dhe përshëndeti të gjithë të pranishmit në emër të konsullatës.
Ajo tha se është dashur mund dhe vendosmëri që të arrihet në këtë 30 vjetor. Ju prindë meritoni më së shumti respekt që i keni dërguar fëmijët tuaj të mësojnë të këndojnë e vallëzojnë shqip. Vlerat tona të ruhen brez pas brezi.
Cakolli ndau edhe disa mirënjohje për afaristët që e kanë ndihmuar ndër vite dhe sonte, pastaj z. Naser Ulaj në emër të LAPSh-së, si dhe z. PhD. Dashnim Hebibi, Rexhep Rifatin dhe disa personalitete të tjera që kanë ndihmuar ndër vite ShKA „Dardania“ me forma të ndryshme.
Nga Tirana, edhe kësaj here kishte ardhur aktori i merituar, regjisori i njohur, Llesh Nikolla, i cili emocionoi gjithë të pranishmit me një recitim të jashtëzakonshëm dhe më pastaj, pas duartrokitjeve, foli edhe për bashkëpunimin që ka pasur ShKA „Dardania“ me mikun e tij, z. Shefqet Cakolli dhe jo pa emocione, tregoi edhe për dokumentarin që ka përgatitur për këtë 30 vjetor dhe ndau me ne 10 minuta duke e pasur parasysh kohën dhe për ta lënë për ndonjë manifestim tjetër, sepse vërtetë është bërë punë e madhe. Dokumentari i shkurtuar vetëm për sonte për 10 min, u pa se është qëndisur aq bukur, me një zë që ta shpon shpirtin me emocione, ashtu siç di mjeshtri i madh, z. Nikolla na kthehu shumë vite përpara me ShKA „Dardania“, ku pamë edhe ne disa shkrime tona të kohëve të hershme.
Nikolla iu drejtua z. Cakolli me këto fjalë: „Më ke befasuar për të mirë, meritoni notën më të mirë të vlerësimit.
“ Z. Cakolli nuk rrinte i qetë, ai lëvizte nëpër sallë. Gjithnjë në këmbë. Z. Cakolli tregoi edhe madhështinë e tij dhe të shoqërisë, dukendarë mirënjohje edhe për disa shoqëri të tjera që veprojnë në Zvicër dhe që kishin ardhur për ta urur z. Cakolli dhe ‘Dardaninë’.
Cakolli, duke ndarë këto mirënjohje, tha: ‘kemi bashkëpunuar e do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen.’ Pas disa mirënjohjeve të tjera që u ndanë, mirënjohje iu nda edhe z. Cakolli nga ShKA „Dardania“ me një shkresë modeste dhe emociounese, duke ia bërë me dije se të duhej një pushim z. Cakolli dhe pastaj të kthehehesh përsëri. Nuk duan ta lëshojnë nga shoqëria edhe pse shihej i lodhur. Edhe bashkëshortja meriton vlerësim të veçantë, ngase e ka përkrahur vazhdimisht. Z. Cakolli, sa fliste para të pranishëmve, mbante në krah mbesën e tij dhe me lotë në sy që mundohej ti mbante, dëshmoi se deri në frymën e fundit do të jetë për ta ruajtur gjuhën e traditën tonë kombëtare brez pas brezi.
Kështu bëjnë të mëdhenjtë. Mirënjohje iu nda nga z. Shemsi Syla, zv. Ministër dhe z. Cakolli u ndje me shumë emocione dhe tha, “erdhi koha që të marr mirënjohje edhe nga ushtarakët tanë. Kjo është e veçantë dhe e papërshkrueshme”. Valle, këngë pas kënge, u pa se po vjen edhe fundi i programit të sontëm. Moderatorja doli në skenë dhe tha: „E tash po dal në mes të sallës dhe po ju drejtohem si moderatore”. Në një dorë mbante vajzën e vogël.
“Ju falenderoj që ishit prezentë, ju na keni ndihmuar dhe motivuar. Ju falenderojmë shumë. Kërkoj nga kryesia, anëtarët e ShKA „Dardania“ nga 100 sa jemi në skenë, t`ju falenderojmë me një duartrokitje për përkrahjen.” Vërtetë ishte emocion i paparë ndonjëherë, që të ata që na dhuruan emocione në skenë me program artistik të bëjnë duatrokitje për publikun. Z. Cakolli nderoi edhe me mirënjohje anëtarët e kryesisë, duke i falenderuar pafundësisht dhe duke treguar se me këta, së bashku, nuk dimë të ndalemi.
Ishte ora 22:45 minuta kur u pa se edhe përfundoi ky manifestim i madh dhe u lajmërua që të mos largohen të pranishmit, sepse kemi tortën e festës. Nuk munguan fotot e kujtimit dhe fjalë miradije për njëri tjetrin. Për ShKA „Dardania“ folën shumë të pranishëm. Fjalët më të mira të mundshme për platformën tonë mediale dhe i uruan suksese edhe në të ardhmen.
helveticALforum.ch