Përgaditi: Dashnim HEBIBI @ Foto nga Afrim Nevzadi, mjeshtër i fotografisë-dokumentues
Glattbrugg, 29 shtator 2025 – Në një mbrëmje vjeshte, kur heshtja mbështolli qytetzën e vogël zvicerane, zemrat shqiptare në diasporë rrahën në një ritëm të përbashkët: ritmin e kujtimit për një ikonë që tashmë kishte marrë udhën drejt amshimit. Enver Petrovci nuk ishte më mes nesh, por fryma e tij, rolet e tij, fjala e tij e fuqishme dhe shpirti i tij artistik u ndjenë në çdo hap të kësaj mbrëmjeje.

Tavolina e përmbushur në Glattbrugg u shndërrua në një tempull të kujtesës, aty ku arti dhe kombi u bashkuan për të thënë:
“Ikonat nuk vdesin kurrë.”

E kjo mbrëmje të mbushur me emocione u kujtua jeta dhe vepra e aktorit, regjisorit dhe ikonës së artit shqiptar, Enver Petrovci. Edhe pse lajmi për këtë tubim përkujtimor u dha vetëm disa orë më herët, tavolina e parparë u mbush me personalitete, veprimtarë dhe artdashës, të cilët lanë gjithçka për të nderuar një figurë që i dha aq shumë kombit shqiptar edhe pse ishte ditë pune e fillim-jave.

Takimi u organizua nga Shkolla e Aktrimit IFTP, e drejtuar nga prof. Adem Kicaj, në bashkëpunim me Institutin Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, të udhëhequr nga presidenti PhD Dashnim Hebibi.

Një hapje e fuqishme me emocione
Tubimin e hapi prof. Adem Kicaj, president i IFTP-së, i cili me lot në sy dhe emocion të thellë tha:

“Sonte jemi mbledhur për ta kujtuar një personalitet të madh që një jetë ia dha kombit. Për mua, dy janë figurat që i shoh si sytë e ballit: Aleksandër Moisiu dhe Enver Petrovci”. Gjersa fliste i rrjedhnin edhe lotët. Pak ditë para se të ndërroj jetë e kishte nderuar me mirënjohje. Pak ditë para se të shkoj në përjetësi kishin biseduar për rolin e radhës në filmin e Prof.Kicaj.
Ai kujtoi momente të bashkëpunimit me Petrovci dhe ndau një histori prekëse rreth një çizmeje skenike para shume viteve që aktori i madh e kishte përdorur në Zvicër. “Këtë çizme do ta ruaj si një amanet, për t’ia dorëzuar familjes së aktorit dhe më pas Ministrisë së Kulturës në Kosovë, sepse është pjesë e trashëgimisë së tij artistike,” tha ai. Më pastaj e kujtoi edhe se si e ka siguruar ate çizme me një vullkan emocionesh.

Pjesëmarrësit dhe kujtimet e tyre
Në këtë mbrëmje përkujtimore morën pjesë shumë veprimtarë e personalitete të diasporës:
- Adem Kicaj, prof., president i IFTP-së
- Fetije Ibraj, veprimtare e shquar
- Labinot Kicaj
- Labinot Çerkezi
- Gani Rashiti
- Kllaudija Domniku
- Have Ukaj
- Përparim Sabriu, kryetar i LAPSH për Bülach
- Prof. dr. Xhavit Lipaj
- Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih
- Shefqet Cakolli, president i SHKA “Dardania” në Winterthur
- Afrim Nevzadi, fotograf
- PhD Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore dhe kryeredaktor i sam24.info
Secili prej tyre, me nga një fjalë ose kujtim, solli ndjenja të forta dhe kujtime të vlefshme nga jeta dhe vepra e aktorit.

PhD Dashnim Hebibi kujtoi bashkëpunimin e tij me Petrovci në vitin 2000 në një spektakël në Zvicër, duke treguar se ky takim u organizua në pak orë, por me shpirt dhe dashuri. Më pastaj edhe e lexoi një biografi që e kishte përgaditur enkas për këtë tubim përkujtimor.

Prof. dr. Xhavit Lipaj bëri një reflektim të thellë, duke e parë jetën dhe artin e Petrovci nga këndvështrimi i mjekësisë dhe artit, dhe e quajti “aktor me energji shpirtërore të jashtëzakonshme, i cili nuk luante vetëm me talent, por me gjithë shpirtin e tij”.

Prof. Naser Ulaj, në cilësinë e kryetarit të LAPSH për kantonin Cyrih, e vlerësoi Petrovci si një personalitet që ka ndikuar fuqishëm në edukimin kulturor të brezave.
Shefqet Cakolli kujtoi përkushtimin e tij për kulturën shqiptare dhe lidhjen e tij të veçantë edhe me diasporën.
Fetije Ibraj, Have Ukaj dhe Përparim Sabriu ndanë kujtime personale, duke sjellë në vëmendje takime, momente dhe emocione që kishin ndarë me aktorin ndër vite.

Përparim Sabriu veçoi kujtimin e vitit 1999, më 12 qershor në Strugë, dhe takimin e mëvonshëm në Tiranë, ku profesori Enver nuk e kishte harruar kurrë miqësinë me të. Ai me mall i ruan edhe sot fjalët që i kishte thënë profesori.

Afrim Nevzadi, me aparatin e tij, dokumentoi çdo moment të kësaj mbrëmjeje. Ai tregoi gjithashtu një histori interesante nga shërbimi ushtarak, kur kishte parë një film kroat dhe kishte takuar disa aktorë të atij filmi. Kur ata kuptuan se ai ishte shqiptar, menjëherë e përmendën Enver Petrovci si një artist të madh dhe të respektuar ndërkombëtarisht.

Një minutë heshtje dhe mesazhe nga larg
Në shenjë respekti, të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për jetën dhe veprën e Enver Petrovci.

Tubimi u pasurua edhe me përshëndetje dhe fjalë respekti përmes telefonit nga personalitete që nuk mundën të ishin fizikisht të pranishëm:

Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut
Rafet Ademi, veprimtarë i njohur
Musa Sylejman, aktor,
Florim Useini, veprimtarë
dhe Shpejtim Pasjaqa nga Kosova, aktor, i cili tregoi se kishte pasur disa takime të paharruara me Petrovci në Kosovë.

Një atmosferë miqësie dhe mirënjohjeje
Tubimi përkujtimor zgjati mbi dy orë. Atmosfera ishte e mbushur me emocione të forta, kujtime të çmuara dhe respekt të madh. Në fund, Përparim Sabriu me bujari shërbeu pije për të gjithë të pranishmit, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment miqësie dhe bashkimi shpirtëror.
Mesazhi i mërgatës
Të gjithë të pranishmit u shprehën se aktivitete të tilla duhej të organizoheshin më ndryshe, por në mungesë të tyre, është mërgata shqiptare ajo që mban gjallë nderimin e figurave të mëdha edhe në këtë formë e do të mbaj pa asnjë interes personal edhe ate si gjithmonë.

Ky homazh ishte modest në formë, por i madh në shpirt.
Ai tregoi se Enver Petrovci nuk ishte vetëm një aktor dhe regjisor, por një ikonë e artit shqiptar, një personalitet i përmasave kombëtare, që do të kujtohet brez pas brezi edhe në mërgim.

Në Glattbrugg të Cyrihut, diaspora shqiptare dëshmoi edhe njëherë se ikonat nuk harrohen – ato mbeten të gjalla në kujtimet, fjalët dhe respektin e atyre që i deshën dhe i vlerësuan.
Në mbrëmjen e Glattbruggut, lotët u shkrinë me kujtimet, fjalët u bënë urë mes të gjallëve dhe atyre që shkojnë, dhe arti u shndërrua në përjetësi.

Enver Petrovci u largua nga kjo botë tokësore, por jo nga zemrat tona. Ai do të jetojë gjithmonë aty ku fjala shqipe ngrihet në skenë, aty ku syri i publikut kërkon të shohë të vërtetën në art, aty ku kujtesa kolektive ruan me dashuri figurat e mëdha të kombit.

Sepse artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë – ata kthehen në dritë, dhe drita e Enver Petrovci do të na ndriçojë brez pas brezi.
Edhe në çastet e dhimbjes, të pranishmit nuk harruan të bëjnë foto kujtimi – jo për të ngrirë dhimbjen, por për ta kthyer atë në kujtesë të përjetshme. Sepse edhe në momente pikëllimi, ne dimë të jemi bashkë, të ndajmë dhimbjen dhe njëkohësisht ta shndërrojmë atë në forcë e mirënjohje.

Kështu, Enver Petrovci mbetet i gjallë jo vetëm në skenë, jo vetëm në film, por në zemrat, në kujtimet dhe në mes lotësh të të gjithë atyre që e deshtën.

Ai ka ikur nga kjo botë, por në kujtesën tonë kolektive, në artin shqiptar dhe në shpirtin e kombit, do të jetojë përjetësisht. Lavdi!
