
Nga: Dashnim HEBIBI
Cyrih, 15 qershor, 2025 – Për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, LAPSH “Naim Frashëri” në kantonin e Cyrihut dëshmoi sërish se është shumë më tepër se një shkollë – është një institucion i vlerave kombëtare dhe kulturore.

Të dielën e 15 qershorit, në një atmosferë festive dhe pavarësisht reshjeve të shiut në mëngjes, u organizua turniri tradicional sportiv, ku u bashkuan nxënës, mësues, prindër dhe dashamirës të arsimit e kulturës shqipe në mërgatë. Kjo ngjarje, tashmë e njohur, motivon fëmijët, forcon lidhjet shoqërore dhe ruan gjallë identitetin kombëtar shqiptar në diasporë.

Një organizim që frymëzon – LAPSH Cyrih në qendër të vëmendjes
LAPSH në kantonin e Cyrihut, nën udhëheqjen e palodhur të kryetarit të LAPSH-it, Prof. Naser Ulaj dhe stafit të tij, është tashmë shembull suksesi dhe përkushtimi.
Me ndihmën e mësuesve e mësueseve të devotshëm, mbështetjen e prindërve, afaristëve dhe përkrahjen institucionale nga shteti zviceran, shkolla plotësuese “Naim Frashëri” vazhdon të jetë një nga shtyllat më të forta të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në mërgatë.

Përkundër motit me shi, kjo e diel mblodhi qindra pjesëmarrës që kishin ardhur për të përkrahur fëmijët dhe për të treguar edhe njëherë se edukimi dhe kultura shqiptare kanë një vend të veçantë në zemrat e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër.

Ambasadori Mentor Latifi: Përkrahje e vazhdueshme për diasporën dhe shkollën plotësuese shqipe Naim Frashëri
Pjesëmarrja dhe përkrahja e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, i dha aktivitetit një peshë të veçantë. Për të dytin vit me radhë, edhe pse në ditë pushimi, Ambasadori Latifi zgjodhi të jetë në mesin e fëmijëve dhe mësuesve, duke dhënë mesazhe inkurajuese dhe falënderuese për kontributin që diaspora po jep në ruajtjen e vlerave kombëtare.

“Ju jeni brezi i artë i kombit, që edhe pse keni lindur këtu në Zvicër, e ruani me krenari gjuhën shqipe, i njihni heronjtë, recitoni bukur dhe jeni të lidhur me vendlindjen,” – u shpreh ndër të tjera ambasadori Latifi, duke theksuar se të gjitha ekipet janë fituese – sepse përveç sportit, ata janë të pasuruar me dije, kulturë dhe dashuri për atdheun.
Turniri sportiv – gara, emocione dhe fitues
Turniri u zhvillua në dy fusha, i hapur zyrtarisht nga Kryetari aktual Naser Ulaj dhe ish-koordinatori Nexhat Maloku. U përfaqësuan 14 ekipe nga 20 pika shkollore, pasi disa shkolla kishin turnirin e tyre paralel dhe nuk mundën të marrin pjesë.

Fituesit sipas grupmoshave ishin:

• Klasa 1-3:
1. Trimave e Dukagjinit
2. Shqiponjat e vogla
3. Shqipet

• Klasa 4-6:
1. FC LAPSH
2. BASHKIMI
3. DARDANËT

• Klasa 7-9:
1. GOLDEN EAGLE
2. LAPSH & PRIND

Ky organizim i suksesshëm ishte rezultat i angazhimit të plotë të stafit të LAPSH në Cyrih, ku secili kontribuoi me përkushtim dhe vullnet. Në mënyrë të veçantë, u dallua kontributi i z. Lulzim Hasi, administrator dhe financier, i cili përmes kamerës së tij ka dokumentuar kujtimet më të bukura ndër vite. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij, mësuese në LAPSH, janë një model i përkushtimit vullnetar dhe të vazhdueshëm.

Një ditë që do të mbahet mend gjatë
Përveç garave sportive, kjo ditë u shënua nga një atmosferë e ngrohtë shoqërore, buzëqeshje fëmijësh dhe kujtime të paharrueshme me foto e përqafime me Ambasadorin Latifi. Fëmijët u larguan të kënaqur, me çmime simbolike dhe me ndjenjën e krenarisë që po rriten me dy identitete: qytetarë të Zvicrës dhe bij të denjë të kombit shqiptar.
Turniri u mbyll me mesazhin se LAPSH, në kantonin e Cyrihut, me punë dhe përkushtim, po lë gjurmë të pashlyeshme në edukimin dhe integrimin e brezave të rinj shqiptarë në diasporë.
Ky aktivitet ishte më shumë se një turnir – ishte një mesazh i fuqishëm që arsimi shqip, kultura dhe sporti janë mision kombëtar. LAPSH në Cyrih jo vetëm që meriton përkrahje, por është një pasuri e madhe që duhet ruajtur dhe fuqizuar më tej. /SAM24.info / Foto nga Lulzim Hasi
