/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Cyrih, 2 maj 2025 – Në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih u zhvillua një takim i veçantë me shkrimtarin e mirënjohur shqiptar në diasporë, Brahim Avdyli, një zë i spikatur i letërsisë bashkëkohore dhe një figurë e palodhur e angazhimit kombëtar ndër vite.
Z. Avdyli, poet, prozator, publicist dhe aktivist, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve në Zvicër dhe më gjerë. Ai ka qenë për shumë vite redaktor i revistës “Qëndresa” dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), Shoqatës së Autorëve të Zvicrës (AdS), si dhe Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ). Poezia dhe proza e tij janë përkthyer në disa gjuhë evropiane, duke e bërë atë një zë përfaqësues të diasporës shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.
Në takim, Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha, vlerësoi lart kontributin e z. Avdyli për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgatë. Ai theksoi se ky takim është pjesë e një sërë nismash të ndërmarra për të afruar institucionet me figurat që kanë ndikuar ndjeshëm në promovimin e vlerave kombëtare.
“Konsullata është gjithmonë e hapur për njerëzit e dijes dhe të shpirtit, siç është z. Avdyli. Ai është një shembull i gjallë i përkushtimit ndaj kulturës kombëtare dhe një frymëzim për brezat e rinj në diasporë”, u shpreh z. Berisha.
Në kuadër të bashkëpunimit të mëtejshëm, Konsullata e Kosovës në Cyrih do të organizojë në ditët në vijim promovimin zyrtar të dy veprave të fundit letrare të z. Avdyli, si një formë mirënjohjeje për kontributin e tij të qëndrueshëm në kulturën shqiptare jashtë vendit.
Takime të tilla vlerësohen si ura të rëndësishme që lidhin institucionet me krijuesit tanë dhe forcojnë ndjenjën e përkatësisë kombëtare në mërgatë.
SAM24.info