Financimi i partive, sidomos në fushatat zgjedhore mbetet një fokus ligjor i rëndësishëm. Ndërsa nuk ka pothuajse asgjë publike me gjithë ndezjen e motorëve të fushatës, detyrimet e partive për t’i deklaruar dhe shpallur publikisht mbeten të hapura.
“Regjistrat që regjistrojnë gjithçka që hynë në një parti në periudhën zgjedhore duhet të jenë transparente për publikun dhe të bëhen në formatin online. Kostot në këtë vit janë shtuar pasi një pjesë e mirë e partive dalin edhe jashtë vendit”, u shpreh eksperti Eduard Gjokutaj.
Detyrimi ligjor ka lindur nga një sërë komplikimesh që sjell mungesa e transparencës në eksperienca të gjera në botë, gjë që do të duhej të siguronte atë që ekspertët e quajnë mundësi për përdorimin e burimeve për qëllime të tjera jashtë normave ligjore dhe etike.
“Më së pari kanë për detyrë të regjistrojnë të gjitha donacionet e ndryshëm që nga ato që vijnë nga individë, organizata apo bizneset dhe deri te donacionet që vijnë nga anëtarësia apo buxheti i shtetit”, u shpreh ai.
Një raport edhe më specifik adresohet ligjërisht si mundësi e ndikimit të oligarkëve dhe interesave të mëdha ekonomike në financimin e fushatave zgjedhore. Ndërsa e artikulojnë këtë shpesh publikisht për partinë kundërshtare e sidomos atë në pushtet, në fakt çdo parti do të duhej të pastronte me qëndrime transparente aktivitetin e vet edhe në këtë drejtim.
“Shqipëria ka shumë pak ngjashmëri jo vetëm me vendet perëndimore, por edhe me ato përreth, pasi ka një informalitet shumë më të lartë , që është edhe oazi mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet informale të donatorëve me partitë”, u shpreh eksperti. Ndërsa mbetet e hapur mundësia që parregullsitë të shtrembërojnë vetë garën, duket se jemi ende larg realitetit kur mbledhja e fondeve e deklaruar të përbëjë faktor sugjestionues për zgjedhësit përkundër një kandidati. Entela Komnino, rtsh.