Filmi i shumëpritur “Magjistari i Kremlinit” është në mbrëmjen e sotme në garë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie.
Jude Law, në rolin kryesor të Vladimir Putin dhe regjisori Olivier Assayas sjellin një film që tregon ngritjen e kreut të Kremlinit në pushtet.
Në tapetin e kuq pritet të kalojë Cate Blanchett, e cila vjen me filmin “Baba, nënë, motër, vëlla”, që trajton marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve.
Ndër filmat jashtë konkurrimit vjen regjisorja e njohur argjentinase Lucrecia Martel me dokumentarin “Toka jonë”, ku tregohet historia e figurës karizmatike, aktivistit Javier Chocobar, i vrarë në vitin 2000 gjatë luftës për të drejtat e komunitetit të tij.
Po ashtu, filmi “Il Maestro”, jashtë gare, me regji nga Andrea Di Stefano, vjen për të gjithë artdashësit. Për herë të dytë në këtë ngjarje, autorja Laura Samani prezantohet me filmin “Un anno di scuola”.
Një natë më parë, filmi “Frankenstein” korri sukses, siç ishte paralajmëruar që në nisje të eventit të madh, ndërsa marshimi pro-Palestinë nuk mungoi as në ishullin e Venecies. Me sloganin “Palestina e lirë” dhe “Jo gjenocidit në Gazë”, në marshim mori pjesë edhe prezantuesja e natës së parë të Festivalit të Filmit, aktorja Emanuela Fanelli.
Protesta e paralajmëruar për ngjarjet më të fundit në konfliktin në Lindjen e Mesme mblodhi rreth 1.500 artistë në një lëvizje të quajtur “Venecia për Palestinën”, të cilët nënshkruan një dokument për atë që po ndodh në Gazë. Ata kërkuan mosmarrjen pjesë në festival të Gal Gadot, Gerard Butler dhe çdo artisti apo personazhi të famshëm që mbështet publikisht politikat e Izraelit nga Melisa Shameti, transmeton rtsh.