Nga: Shefqet CAKOLLI, Winterthur
Të nderuar miq, bashkatdhetarë, artistë, shoqëri kulturore, ansamble, grupe rapsodike e folklorike, instrumentalistë të veglave tona burimore dhe gjithë ju dashamirë të kulturës shqiptare.
Ju falënderojmë nga zemra për interesimin, përkrahjen, mbështetjen dhe mesazhet tuaja të ngrohta lidhur me “Diaspora Fest 2026” – Festivalin folklorik të këngëve dhe valleve në Zvicër, që do të mbahet më 31 janar dhe 01 shkurt 2026 në Engelburg (SG), Zvicër.
Jemi thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që janë lajmëruar, na kanë kontaktuar, që kanë shprehur gatishmëri për pjesëmarrje, apo kanë dhënë komente dhe sugjerime të vlefshme. Një falënderim i veçantë u shkon miqve tanë të kulturës – koreografëve, anëtarëve të jurive të zhanreve të ndryshme, si dhe personaliteteve të shquara nga fusha akademike, profesorëve të universiteteve tona, akademikëve të shkencave, gazetarëve dhe mediave të shkruara e vizuele, por edhe të institucioneve tona diplamatike – që e kanë përqafuar me kënaqësi dhe konsideratë këtë iniciativë të dedikuar mërgatës sonë.
Reagimet, komentet dhe këshillat tuaja na japin forcë dhe motivim që ky festival të shëndërrohet në një ngjarje sa më të suksesshme dhe përbashkuese për mbarë diasporën tonë shqiptare.
Së shpejti do t’ju njoftojmë në detaje për rregullat, kriteret dhe hapësirat e dedikuara për secilën shoqëri, grup apo ansambël – por edhe për individët që janë paraqitur deri tani. Besojmë se pas përfundimit të pushimeve verore do të jemi edhe më të përgatitur për të vazhduar me hapa konkretë. Duke qenë se jemi në prag të pushimeve, ju urojmë gjithë të mirat dhe një pushim sa më të këndshëm!
Njëkohësisht, ftojmë edhe ata që ende nuk kanë pasur mundësi të na kontaktojnë, që të na bashkohen – sepse ky festival është i hapur për të gjithë, pa dallim vendi, kohe apo mundësish brenda dy ditëve të festivalit.
Ky festival është i yni – i gjithë komunitetit shqiptar. Së bashku do të krijojmë një festë të paharruar për kulturën, identitetin dhe dashurinë për atdheun tonë me moton: KULTURA QË NA BASHKON!
Me respekt dhe përzemërsi,
Ekipa organizative e “DIASPORA FEST 2026”
SH.K.A “Dardania” – Winterthur, Kontakti: +41 79 672 41 82
SH.K.A “Iliria” – St. Gallen, Kontakti: +41 79 202 06 06