Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Prof Sadete Presheva ( 26 qershor 1950-27.08.2012 )

Trembëdhjetë vjet pa Ty,
e prapë duket se je mes nesh,
si një hije drite që ecën nëpër kujtime,
si një zë që pëshpërit në erë.
Koha ikën,
por dhimbja rri e ngrirë në zemër,
malli bëhet këngë pa tinguj,
plagë pa shërim,
dritë që digjet pa u shuar.
Profesoreshë,
me gjithë shpirt të kujtoj,
jo vetëm në përvjetor,
por në çdo fjalë që shkruaj,
në çdo libër që hap,
në çdo varg që më del nga zemra.
As trembëdhjetë mijë fjalë nuk të rikthejnë,
as trembëdhjetë mijë lotë nuk ma shuajnë mallin.
Dhimbja nuk matet me shifra,
ajo është oqean pa fund,
që vetëm shpirti e di.
Ti e deshe Shqipërinë me gjithë qenien tënde,
frymën e fundit ia fale asaj.

Por zemra jote rrihte për Preshevën,
ku e shkrive jetën me ditar në dorë,
ku u bëre pishtar i dijes,
flakë e gjallë e gjuhës shqipe.
Na mësove Fishtën e madh,
të ndjemë peshën e Nolit,
të kuptojmë mendimin e Konicës,
të ëndërrojmë me Naimin,
të frymëzohemi nga Ali Asllani.
Ti ishe urë mes brezave dhe fjalës,
ishe frymë që ngjallej në çdo libër,
ishe dashuri për gjuhën që na mban gjallë.
Profesoreshë,
emri yt është amanet.
Është nder për Preshevën,
është nder për mbarë shqiptarinë,
që një rrugë, një shkollë, një tempull kulture
të mbajë mbi supe emrin tënd –
sepse Ti e dhe jetën për gjuhën shqipe.
Edhe tani, pas trembëdhjetë vitesh,
kur hap një libër shqip,
kur shkruaj një shkronjë shqipe,
unë të shoh Ty.
Ti je aty –
e gdhendur në fjalë,
e gjallë në gjuhën që na mësove.
Profesoreshë, nuk ike…

thjesht u shndërrove në kujtim të pavdekshëm,
në mall të pashuar,
në dritë që shoqëron përjetësisht udhëtimin tonë.
Shpirti yt u bëftë dritë në amshim,
ashtu siç ishte dritë për ne
kur ecje mes nesh!
LAVDI !