Një ekspozitë unike është çelur në Pogradec, duke sjellë për publikun materiale të rralla fotografike nga “Ditari i Luftës Greko-Italiane 1940–1941″ të autorit arvanitas Christos Petrou Mesogjitis.
Në periudhën e luftës italo-greke, në ditarin e tij, ai përshkruan në detaje operacionet ushtarake të ushtrisë greke kundër forcave italiane në Shqipërinë e Jugut, por njëkohësisht pasqyron edhe jetën e përditshme të banorëve të zonave ku kaloi dhe qëndroi, kryesisht përreth Pogradecit dhe Maliqit.
Fotot dhe shënimet sjellin në fokus fshatrat, vendet arkeologjike, profesionet, zakonet dhe vështirësitë e luftës.
“Në fondin arkivor ekzistojnë shumë pak foto për sa i përket luftës italo-greke. Duhet të kemi parasysh që Petro Mesogjiti shkëputet nga misioni i tij ushtarak dhe bën rolin e një fotografi mjaft të rëndësishëm për sa i përket mesazhit,” tha kuratori i ekspozitës, Ledian Zeqollari.
Autori, i cili u nda nga jeta në vitin 1944, pak para çlirimit të Greqisë, la pas një dëshmi të çmuar historike, që tashmë e prezantoi për publikun shqiptar pasardhësi i tij Petro Filipi.
“Jam shumë i lumtur që pas 85 vjetësh hap këtë ekspozitë fotografish të gjyshit tim arvanitas Petros Mesogjitis. Këto fotografi janë të botuara në libër nga gjyshi im dhe pas kaq kohësh arritëm që ta sjellim për herë të parë në një ekspozitë. Mesogjitis kishte mbaruar për arkeologji dhe më pas u angazhua në luftën italo-greke me forcat greke dhe gjatë asaj periudhe ka mbajtur ditar rreth luftës dhe vendeve që kalonin, duke shkrepur edhe foto. Ai ka ndihmuar në atë periudhë edhe familjet e varfra gjatë kohës që ka qenë në këtë zonë,” u shpreh nipi i autorit, z. Filipi.
Ekspozita sjell imazhe të zonave që sot nuk ekzistojnë më siç është këneta e Maliqit, kullat me tri deri në katër kate në fshatrat e Pogradecit, dhe jetën e fermerëve në fshatra. – RTSH-