Nga: Prof.dr. Xhavit LIPAJ, Andermat
Do mbetem vetja
Në heshtjen e botës që shpesh më mbyt,
ku fjalët janë mjegull, e ndjenjat, stuhi,
unë e di: do mbetem vetja, sado që të thyej,
sado që bota të dojë të më bëjë hi.
Mbi supe mbaj zhgënjime si gurë të rëndë,
dhe shikime që plagosin pa zë, pa mëshirë,
por në thellësi të shpirtit, një zë më këndon:
“Mos u përkul, se e vërteta s’ka nevojë për nderim të rremë.”
Kam parë fytyra që buzëqeshin ndërkohë që vrasin, duar që përqafojnë, por prapa fshijnë thika, por unë s’kam mësuar të jem maskë mbi dhe, as hijë që ngjitet pas dritave të dikujt tjetër.
Jo, unë jam rrënjë e thellë në tokën time,
jam gur që përmbytjet s’e zhvendosin dot,
në fjalët e mia ka gjak dhe frymë,
e në sytë e mi, një shpirt që s’është robot.
Do e shikoj veten jo si pasqyrë e huaj,
por si zjarr që digjet pa u dukur fare,
do e dua plagën, edhe mallkimin tim,
se përmes dhimbjes rritet forca njerëzore.
Do eci vetëm, nëse duhen rrugë pa turmë,
do flas me heshtjen, nëse zhurmat s’më kuptojnë, se më mirë i vetëm, por me shpirt të kthjellët, se i rrethuar, por me shikim që vetveten harron.
Në fund të botës, kur gjithçka bie heshtur, e maskat bien si gjethe në vjeshtën e fundit,
do mbetem unë, pa dekor, pa dorëza,
Vetëm me veten… dhe me dritën që kurrë s’u shua.
( Foto ilustrim )