Të dashur familjarë, miq, shokë dhe dashamirë, dëshirojmë t’ju drejtohemi publikisht, jo sepse kemi marrë ndonjë fjalë apo vërejtje nga ju, por për hir të etikës dhe transparencës sonë, ndjejmë detyrim moral të bëjmë një sqarim.
Shtator, 2025 – Para disa ditësh, shumë prej jush na keni parë dhe na keni shkruar, duke na përgëzuar për një udhëtim që ne e kemi quajtur “Udhëtim drejt rrënjëve”.
Ky udhëtim nuk kishte qëllim të tregonte vetëm kënaqësinë tonë personale, por mbartte me vete një arsye dhe një vizion më të madh, të cilin shumë shpejt do ta shpalosim përmes një projekti me vlera të thella kombëtare dhe njerëzore.
Ne nuk pretendojmë të kemi shpikur diçka të re, por jemi përpjekur që përmes veprimeve dhe angazhimit tonë të kontribuojmë për të mirën e përgjithshme, për të mirën absolute.
Gjatë këtij udhëtimi kemi qenë të shoqëruar edhe nga miku ynë, z. Meti Krasniqi, i cili tashmë ka filluar fushatën për kryetar të Komunës së Gjakovës.
Ne e njohim dhe e vlerësojmë z. Krasniqi për bashkëpunimin e tij të hershëm, veçanërisht në Zvicër, kur mbante përgjegjësinë e kryetarit të Rrjetit të Miqësisë. Miqësia jonë me të bazohet në bashkëpunime konkrete dhe në përkushtimin e tij për çështje të dobishme shoqërore.
Dua ta theksoj me plot sinqeritet: përkrahja jonë ka qenë dhe mbetet morale, por kurrsesi politike edhe ate para fushatës. Ne nuk jemi shtetas të Kosovës dhe, rrjedhimisht, nuk kemi as të drejtë vote. Po ashtu, PhD. Xhavit Lipaj është një personalitet i pavarur, shkencëtar i njohur, që nuk është i përfshirë në asnjë subjekt politik, dhe për më tepër nuk është as nga Gjakova.
Për këtë arsye, ndiejmë detyrim moral dhe intelektual ta bëjmë këtë sqarim publik: Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie apo subjekti politik. Përpjekjet tona janë dhe do të mbeten të pastra, kombëtare, humanitare dhe shkencore. Askush nuk ka të drejtë të njollosë kontributin tonë shumëvjeçar, që është i dokumentuar dhe i njohur në shumë fusha të shoqërisë.
…Ne respektojmë dhe vlerësojmë çdo mik apo bashkëkombës që angazhohet në politikë, përfshirë edhe z. Meti Krasniqi. Si miq, ne ia duam të mirën atij, ashtu siç ua dëshirojmë të gjithëve që kanë vullnet dhe vizion për t’i shërbyer Kosovës, Maqedonisë Veriore, Luginës së Preshevës dhe Shqipërisë.
Por qëndrimi ynë është i qartë: gjithmonë mbështesim më të mirin, më të merituarin, jo për interesa personale, jo për poste, jo për përfitime materiale, por sepse ia duam të mirën atdheut tonë të shtrenjtë.
Në këtë kuptim, si këshilltarë, ne e japim përkrahjen tonë për të gjithë ata që duan dhe që i njohim, sepse njohuritë dhe përvojat tona kurrë nuk i kemi mbajtur vetëm për vete, por gjithmonë i kemi vënë në shërbim të së mirës së përgjithshme. Jemi të bindur se këtë do ta kuptoni drejt dhe me mirëdashje.
Prandaj, me gjithë zemër e sinqeritet, ju kërkojmë: mos na ngjyrosni politikisht. Ngjyra jonë është e vetmja që na bashkon të gjithëve – ngjyra kuqezi me shqiponjën dykrerëshe. Ky është flamuri ynë, ky është besimi ynë, ky është ideali ynë. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të lëkundemi nga ky parim, pavarësisht çfarë thonë apo mendojnë të tjerët.
Në emrin tonë të përbashkët – Prof. dr. Xhavit Lipaj, Florim Useini dhe unë, PhD. Dashnim Hebibi – shprehim mirënjohjen për të gjithë ata që na mbështesin me fjalë e me vepra. Ata që paragjykojnë apo shpifin, le ta dinë se e vërteta flitet hapur dhe mbështetet me fakte
.
Zoti i bekoftë familjet tona, kombin tonë, trojet tona, miqtë tanë dhe të gjithë ata që punojnë për paqe, mirëqenie dhe përparim. Lavdi dëshmorëve!
Ju urojmë një fundjavë të mirë!
Me dashamirësi dhe shpirtbardhësi,
PhD. Xhavit Lipaj
PhD. Dashnim Hebibi
Florim Useini