Danimarka ka njoftuar një nga ndryshimet më të rëndësishme fiskale në fushën e kulturës, duke hequr plotësisht taksën prej 25% të TVSH-së mbi librat, në përpjekje për të përballuar një krizë të thellë të leximit në mesin e të rinjve.
Ministri i Kulturës, së vendit është shprehur ky vendim është një “investim në të ardhmen kulturore të vendit”, duke shtuar se synimi është të nxitet leximi dhe të përmirësohen nivelet shqetësuese të shkrim-leximit.
Masa pritet t’i kushtojë shtetit rreth 44 milionë euro në vit.
“Kjo është diçka për të cilën unë, si ministër i kulturës, kam punuar, sepse besoj se duhet ta vëmë gjithçka në lojë nëse duam t’i japim fund krizës së leximit që, për fat të keq, është përhapur vitet e fundit”, tha ai.
Vendimi vjen pasi një raport i fundit nga OECD tregoi se një në katër 15-vjeçarë danezë nuk është në gjendje të kuptojë një tekst të thjeshtë një statistikë që autoritetet e konsiderojnë “tronditëse”.
Ekspertët e arsimit dhe kulturës kanë paralajmëruar për një rënie të ndjeshme të leximit në mesin e adoleshentëve, e ndikuar kryesisht nga përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe shpërqendrimet e vazhdueshme të jetës dixhitale.
Deri tani, Danimarka kishte një nga normat më të larta të TVSH-së për librat në Evropë, në 25%. Në kontrast, vendet fqinje nordike kanë ndjekur politika të tjera, Norvegjia përjashton librat nga çdo taksë, Suedia aplikon vetëm 6%, ndërsa në Finlandë norma është 14%. Heqja e taksës mbi librat pritet të hyjë në fuqi brenda këtij viti dhe shpresohet të nxisë rritjen e lexueshmërisë në të gjitha grupmoshat, duke përfshirë më shumë të rinj në botën e librit dhe kulturës, transmeton rtsh.