Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një adresim të drejtpërdrejtë ka dënuar ashpër, siç e cilësoi, “politikën sistematike të margjinalizimit të shqiptarëve” nga qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM.
Osmani theksoi se shqiptarët janë duke u përballur me një projekt të mirëkoordinuar të përjashtimit nga institucionet dhe proceset vendimmarrëse, duke paralajmëruar se këto zgjedhje nuk janë më një garë politike e zakonshme, por një referendum për dinjitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Qeveria e VMRO-së dhe ZNAM-it, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, me intensitet të plotë vazhdon ta zbatojë politikën që synon t’i largojë shqiptarët nga proceset shoqërore, duke i kthyer në pozitat periferike të para Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Osmani.
Ai akuzoi kryeministrin Mickoski për qasje të hapur diskriminuese ndaj shqiptarëve, e cila sipas tij reflektohet si në deklaratat publike, ashtu edhe në përbërjen e institucioneve dhe në vendimet qeveritare.
“Këtë politikë të Mickoskit shpesh e shohim si shprehje të karakterit të tij personal: ‘do t’i tërheqim për vesh’, ‘do t’ua tregojmë vendin’, por edhe në strukturën zyrtare të kabinetit të tij dhe qeverisë, ku shqiptarët janë të përjashtuar nga rrethet vendimmarrëse”, tha ai.
Në mënyrë simbolike dhe me tone të forta, Osmani e cilësoi si poshtërim për shqiptarët emërimin e një përfaqësuesi të “Botës serbe” për resorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për shfuqizimin e mekanizmave të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë, si Balancuesi, Badenteri dhe përfaqësimi gjuhësor, duke i cilësuar këto si sulme të drejtpërdrejta ndaj vlerave të Marrëveshjes së Ohrit dhe stabilitetit ndëretnik.
“Këta janë mekanizma mbrojtës nga majorizimi. Dhe pikërisht ata janë pengesa më e madhe për zbatimin e politikës radikale nacionaliste të VMRO-së dhe ZNAM-it ndaj shqiptarëve”, tha Osmani.
Osmani akuzoi edhe institucione të tjera si Gjykatën Kushtetuese, KSHZ-në dhe Bankën Qendrore si pjesë të një zinxhiri të kontrolluar që punon në funksion të kësaj strategjie diskriminuese.
Për bashkëqeverisësit shqiptarë të mbetur në pushtet, Osmani tha se janë të nënshtruar, të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të detyruar të justifikojnë vendime që i dëmtojnë shqiptarët.
Osmani i bëri thirrje shqiptarëve që këto zgjedhje t’i shohin si një moment vendimtar për barazi, dinjitet dhe orientim të qartë drejt perëndimit:
“Shqiptarët nuk do të heqin dorë nga perspektiva evropiane e këtij shteti. Nuk do të qëndrojnë të heshtur teksa shteti shtyhet drejt përqafimit të Botës serbe apo ndikimeve kinezo-ruse. E ardhmja jonë është në BE dhe NATO. Kjo nuk është më një betejë politike. Kjo është një luftë për dinjitet dhe barazi. Nuk ka kthim prapa”, theksoi Osmani, transmeton rtk.