Shqipëria po shënon rritje të qëndrueshme të pranisë së bizneseve të huaja. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 32 degë të reja, një rritje e dukshme krahasuar me 21 degët e vitit 2024 dhe 18 degët e 2023. Ky ritëm i përshpejtuar tregon një interes më të madh të investitorëve ndërkombëtarë për tregun shqiptar.
Italia kryeson listën me 10 degë të regjistruara, ndërsa Kosova dhe Turqia pasojnë me nga 7 secila.
“Rritja e numrit të degëve është një tregues se Shqipëria po perceptohet më seriozisht nga investitorët e huaj. Krahasimi me vitet e mëparshme tregon një trend pozitiv, ku vendi po forcon imazhin e tij si destinacion për kapital të ri”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, për Tv Klan.
Hyrja e këtyre kompanive pritet të ndikojë në konkurrencën e tregut vendas, teksa sfidë për ekonominë vendase mbetet gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar.
“Për të ruajtur këtë ritëm, nevojitet që institucionet shqiptare të ofrojnë kushte më të favorshme për të mbajtur në vend rininë dhe të investojnë në kualifikimin e tyre për të qenë më pranë kërkesave të tregut”, shton Muço. Me rritjen e vazhdueshme të degëve të huaja, Shqipëria po e konsolidon profilin e saj si një treg në zhvillim tërheqës për kapitalin ndërkombëtar. Në vitin 2023 u regjistruan rreth 1,419 biznese me element të huaj, ndërsa në vitin 2024 numri mbeti pothuajse i njëjtë. Ndërkohë, vetëm gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar 1,404 kompani të reja, duke treguar se ritmi është i lartë krahasuar me vitet e kaluara, transmeton gtema.