Një ndihmë i vjen Shqipërisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në përpjekjen për të zhvilluar energjinë e erës në det të hapur.
Në programin e miratuar nga Banka theksohet fakti se sistemi energjetik shqiptar dominohet nga hidrocentralet, që përbëjnë rreth 95% të kapacitetit të instaluar të vendit, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin me pjesën më të lartë të gjenerimit të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore.
Sipas BERZH-it, varësia nga sistemi hidro konsiderohet të bëhet më kritike për shkak të ndryshimeve klimatike, me stinë verore kur reshjet janë në sasinë e tyre më të ulët. Shqipëria regjistron nivelet më të larta të importeve, duke qenë se nuk ka reshje të mjaftueshme për të prodhuar energji elektrike nga hidrocentralet.
“Diversifikimi i prodhimit përmes centraleve të erës në det të hapur, si teknologji, ka përparësi të tilla si prodhim më i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, si dhe plotësim më i madh sezonal dhe ditor i kërkesës. Eksplorimi i kësaj teknologjie sjell një zhvillim të rëndësishëm dhe koherent të prodhimit të energjisë në vend,” thuhet në dokumentin e miratuar nga BERZH.
Aktualisht, në Shqipëri nuk prodhohet energji nga era, ndërsa në fund të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbërritën dy aplikime për ndërtimin e centraleve për prodhim nga ky burim energjie. Të dyja projektet janë parashikuar të zhvillohen në Bashkinë Vau i Dejës.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, aktualisht janë vetëm dy kompani të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga era, por impiantet nuk kanë hyrë ende në prodhim./ Amela Koçerri