Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar se PD e konsideron emergjente programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve. Ai ka deklaruar se nëse PD merr pushtetin, do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë dhe do të sigurohet një standard më i lartë i ilaçeve.
Po ashtu, sipas Berishës, PD do të angazhohet për dyfishimin e rrogave të mjekëve dhe infermierëve, hapjen e një fakulteti të dytë mjekësie dhe ndërtimin e spitaleve të reja.
“PD e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve. Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë. Në programin e saj, PD do garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE. Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie me qëllim për të kapur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja do jenë objektiva imediate të PD.
Por, sistemi shëndetësor, i cili nga të gjitha sistemet ka pësuar hemorragjinë më të madhe, nuk do mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri si kusht themelor që në Shqipëri, mjekët të qëndrojnë. Ndaj dhe dyfishimi i rrogave do jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë”, tha Berisha.
Sali Berisha ka kritikuar ashpër sistemin shëndetësor në Shqipëri, duke e quajtur atë të dështuar dhe në gjendje katastrofike, me standarde më të ulëta se vendet e BE.
“Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë. Renditet ndër vendet në të cilin qytetarët paguajnë gjobën më të madhe në Europë, por edhe një nga më të lartat në botë për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që Edi Rama, i cili 12 vite më parë, erdhi në pushtet me premtimin solemn për shëndetësi falas, sot merret me çdo gjë tjetër, por jo me dështimin madhor me pasoja shumë të rënda, qindra mijëra jetë njerëzish në kujdesin shëndetësor. E vërteta është se Shqipëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë. Dëshmia tragjike kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen katastrofale në Spitalin e Onkologjisë. Ky spital, në vend që të ishte një institucion shprese për të sëmurët që me heroizëm luftojmë forma të ndryshme të këtyre sëmundjeve, faktikisht është një strehë ku njerëzit nuk vdesin nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për kurimin e sëmundjeve”, tha Berisha, njofton rtsh.