Bashkimi Europian përmes programit Interreg Europe, po mbështet mbrojtjen e pyjeve shekullore dhe drurëve monumentalë në Shqipëri.
Agjencia Kombëtare e Pyjeve zhvilloi në Tiranë, takimin e parë me përfaqësues nga institucione shtetërore, pushteti vendor, Universiteti Bujqësor i Tiranës, shoqëria civile dhe ekspertë të pyjeve, për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me mbrojtjen e pyjeve natyrore të vjetra dhe drurëve monumentalë/veteranë (MVT) në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutuan disa çështje kryesore si prezantimi i planit dhe objektivat e tij për rritjen e qëndrueshmërisë së peizazhit dhe roli i pyjeve të vjetër në ruajtjen e biodiversitetit, përballjen me ndryshimet klimatike dhe garantimin e shërbimeve ekosistemore.
Gjithashtu u diskutua nevoja për përmirësim të kuadrit ligjor kombëtar për mbrojtjen e pasurive natyrore afatgjata si dhe adaptimi i përvojës së vendeve të BE-së, në menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve të lashta si modele të suksesshme.
Ekspertët vlerësuan se, pyjet e vjetra dhe drurët monumentale janë pasuri me rëndësi të jashtëzakonshme për trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Ato mbartin vlera të larta ekologjike, kulturore dhe historike, dhe janë streha e shumë specieve të rrezikuara.
Në rajone të ndryshme të vendit tonë, gjenden drurë të vjetër disa shekullorë që janë shpallur dhe monumente të rralla të natyrës, siç është p.sh: Ulliri i në Gjorëm të Kurbinit; druri i Vënjës në Labovës; Rrapi Libohovës; Qershia e egër në Çajup; Rrapi i Urës së Tabakeve në Tiranë thuajse 300 vjeçare, etj.
Ky takim shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes aktorëve për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, në përputhje me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian, transmeton oranews.