Nga: Dashnim HEBIBI
Bernë 18 qershor 2025 – Sot, më 18 qershor 2025, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, mori pjesë në një ekskursion të veçantë të organizuar nga Këshilli Federal Zviceran në nder të Trupit Diplomatik.
Gjatë kësaj dite të rëndësishme, ai zhvilloi një bashkëbisedim të veçantë me Presidenten e Konfederatës Zvicerane, znj. Karin Keller-Sutter – një takim me vlerë të veçantë diplomatike dhe simbolike. Pas një mirëseardhjeje të ngrohtë në Bernë dhe një vizite mbresëlënëse në Qendrën e Kulturës dhe Konventave në Lucern, pjesëmarrësit patën kënaqësinë të dëgjojnë fjalimin e Presidentes Keller-Sutter.

Më pas, udhëtimi vazhdoi drejt një prej pasurive natyrore më të çmuara të Zvicrës – Biosfera Entlebuch, pjesë e rrjetit të mbrojtur të UNESCO-s.
Në këtë ambient të mrekullueshëm, u përjetuan nga afër bukuritë dhe vlerat unike të rajonit:
Shtegu në Moçal – një udhëtim i qetë përmes ligatinave të rralla dhe historisë së torfës.
Ferma familjare e qëndrueshme – ku pjesëmarrësit u njohën me jetën bujqësore dhe shijuan akullore artizanale.
Fabrika e xhin Edelwhite – një përzierje mjeshtërore e bimëve alpine në një distilim me aromë unike.

Qumështorja artizanale Mosigen – një udhëtim në traditën e djathit Emmental dhe shijet autentike zvicerane. Shtegu i Shpirtrave (Seelensteg) – një rrugëtim reflektues mes natyrës që ofroi qetësi dhe frymëzim. Ekskursioni u mbyll në mënyrë të ngrohtë me një aperitiv në Hotel Kurhaus në Heiligkreuz, një vend mikpritës në pronësi të një bashkëvendësi nga Kërçova – një krenari në zemër të Zvicrës.

Ambasadori Demiri shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mikpritjen, përkushtimin e Zvicrës ndaj natyrës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe për përvojën e paharrueshme që pasuroi shpirtërisht të gjithë pjesëmarrësit.
SAM24.info