Nga: Dashnim HEBIBI
Kastriot, Kërçovë 01 qershor 2025 – Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, prej ditës së djeshme po qëndron për pushime në vendlindjen e tij të dashur, në fshatin Kastriot të Kërçovës. Sapo mbërriti mëngjesin e hershëm, pas një udhëtimi të gjatë me familje, ambasadori u njoftua se në oborrin e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” po zhvillohej një tubim me bashkëfshatarët.

Në këtë ngjarje të ngrohtë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, z. Fatmir Dehari, së bashku me shumë veprimtarë të njohur të zonës. Ambasadori Demiri, i njohur për modestinë dhe thjeshtësinë e tij, qëndroi fillimisht në fund të oborrit, mes bashkëfshatarëve. Por sapo u pa nga z. Dehari dhe të pranishmit, u ftua të ulej në ballë të tubimit – para bustit të Skënderbeut – dhe të mbante një fjalë përshëndetëse.
Me sinqeritet dhe plot emocione, ambasadori përcolli përshëndetjet e përzemërta të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe në gjithë Maqedoninë e Veriut, duke uruar mirëqenie, unitet dhe dashuri për të gjithë. Ai u prit me ngrohtësi dhe entuziazëm nga bashkëfshatarët, ndërsa fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga duartrokitje të fuqishme.

“Të jemi të bashkuar, të ruajmë vlerat tona dhe të ecim përpara për të mirën tonë të përbashkët,” ishte mesazhi kryesor që ambasadori Demiri përcolli me përulësi dhe përkushtim.
Ai vlerësoi lart përpjekjet e banorëve të zonës që, siç theksoi, “e kanë ruajtur këtë tokë si sytë e ballit dhe na kanë dhënë mbështetje që në fëmijëri për të shërbyer për paqe dhe unitet.”
Sipas burimeve të SAM24.info (Swiss Albanian Media Center), ambasadori Demiri nuk njeh pushim – këtë e dinë mirë edhe të afërmit e tij. Edhe kur është me pushime, ai qëndron aktiv, pranë njerëzve, dhe si gjithmonë, mëngjeset i nis me bashkëfshatarët, duke u mbushur me energji pozitive nga vendlindja që e ka gjithmonë në zemër.

Në përfundim të takimit, ambasadori përqafoi bashkëfshatarët dhe falënderoi kryetarin Dehari për vizitën, për punën që ka bërë dhe që po bën, si dhe për kontributin e tij të palodhur ndër vite në dobi të banorëve.
SAM24.info