Nga Dashnim HEBIBI
Shoqata Kulturore “Iliria” në Koper, nën drejtimin e veprimtarit të njohur Heset Ahmeti, priti në një vizitë të veçantë Sh.T.Z. Valdet Sadiku, ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni, i shoqëruar nga diplomati z. Hamdi Reçica.
Gjatë takimit u diskutuan tema me rëndësi për bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Slloveni, ku theksi kryesor u vendos tek mësimi plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e diasporës.
Mësuesja dhe njëkohësisht sekretarja e Shoqatës, znj. Gentiana Konjuhi, ndau përvojat e saj nga Seminari i Mësuesve të Diasporës që u mbajt në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes profesionale për të ruajtur dhe forcuar identitetin kombëtar te gjeneratat e reja.

Ambasadori Sadiku vlerësoi lart punën e mësueses Gentiana dhe angazhimin e saj gjatë vitit të kaluar shkollor, duke e inkurajuar që vitin e ri mësimor ta nisë me po aq përkushtim e energji. Njëkohësisht, ai apeloi tek prindërit që të sjellin sa më shumë fëmijë në shkollën shqipe, pasi ruajtja e gjuhës amtare është ruajtje e identitetit kombëtar.
Shoqata “Iliria” falënderoi ambasadorin Valdet Sadiku për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ofron në fuqizimin e jetës kulturore dhe arsimore të mërgatës shqiptare në Slloveni.
SAM24.info