Doha, Katar – Në një atmosferë të ngrohtë miqësore e vëllazërore, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Katar, z. Fuad Morina, priti në takim z. Fehim Abazi, imam dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptar në Zvicër, njëherit nënkryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicer si dhe z. Atdhe Jasiqi, afarist i njohur dhe atdhetar i devotshëm që jeton e vepron në Lozanë të Zvicrës. z.Abazi dhe Jasiqi nuk e harruan edhe ambasadën e Kosovës edhe pse kishin shkuar me disa miq në Katar për një vizitë.
Takimi, i cili u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Doha, ishte një mundësi e vyer për të ndarë përvoja dhe informacione mbi organizimin dhe jetën e komunitetit shqiptar mysliman në Zvicër, sidomos në kantonin e Vaudit, ku vepron prej vitesh Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
Z. Fehim Abazi, i njohur ndër bashkatdhetarët si një figurë që ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për integrimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve në mërgatë, ku shërbyen si imam në Lozanë që nga viti 2013. Ai njihet për angazhimin e tij jo vetëm në fushën fetare, por edhe në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe forcimin e lidhjeve me vendlindjen.
Në takim, z. Abazi e njoftoi Ambasadorin Morina për veprimtarinë e Qendrës që ai udhëheq, për sfidat dhe sukseset e komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe për projektet që kanë për synim promovimin e kulturës, integrimit dhe vlerave shqiptare në diasporë.
I pranishëm në takim ishte edhe z. Atdhe Jasiqi, një emër i njohur në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër. I njohur si një afarist i suksesshëm, humanist dhe atdhetar, z. Jasiqi është angazhuar në mbështetjen e shumë nismave kulturore, fetare dhe sociale që kanë për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe përkrahjen e bashkatdhetarëve në mërgim.
Ambasadori Morina shprehu mirënjohje për kontributin e të dy mysafirëve dhe theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me diasporën, veçanërisht me figura që përfaqësojnë me dinjitet vlerat shqiptare në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë.
Ky takim ishte një dëshmi e ndërsjellë e respektit, vlerësimit dhe gatishmërisë për të forcuar edhe më tej lidhjet mes mërgatës shqiptare dhe përfaqësive të Kosovës në botë. Në fund të takimit, z. Fehim Abazi dhe z. Atdhe Jasiqi shprehën falënderimet e tyre për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësuan lart përkushtimin e Ambasadorit Morina për ruajtjen dhe përfaqësimin dinjitoz të interesave të qytetarëve të Kosovës në Katar. / Përgaditi: D.HEBIBI
			
                                
			