Në organizim të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, sot (13 dhjetor 2024), ligjëratë për studentët mbajti akademiku i mirënjohur në sferën e ekonomisë, Taki Fiti, me temë: “Nobelistët e ekonomisë 1969-2024, me theks nobelistët e fundit, Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson. Në ligjëratë, ishte i pranishëm edhe kryetari i ASHAM-it, Zhivko Popov dhe akademikë të tjerë.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij përshëndetës theksoi se nuk ka ekonomistë më të thirrur që të prezantojë rrugëtimin e nobelistëve në ekonomi sesa Akademik Taki Fiti dhe kjo ligjëratë tashmë është bërë tradicionale në UEJL.

Para studentëve, prezantimin e veprës së Akademik Taki Fiti e bëri dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi Alili. Ajo veçoi pjesë të biografisë, duke vënë në pah kontributin e Akad. Taki Fiti në mendimin ekonomik në vend e më gjerë.
Akademiku Taki Fiti u shpreh se ndjehet i privilegjuar që ligjëron në UEJL, në mesin e studentëve dhe në veçanti në mesin e kolegëve. Ai në detaje e prezantoi temën, duke theksuar kontributin konkret të nobelistëve të fundit, të cilët kanë demonstruar rëndësinë e institucioneve shoqërore për prosperitetin e vendit.
Ligjërata u ndoq me mjaft interes nga studentët dhe stafi i Universitetit.
Linku i lajmit: https://www.seeu.edu.mk/sq/information/news-events?id=2828