
Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Prishtinë
Në oborrin e saj të dikurshëm,
aty ku muret e tullës flasin me kujtesën,
çeli një trëndafil i kuq,
si zemra e një kohe që s’ka mbaruar.
Këtu ka jetuar njê vajzë e mirë,
me babën Shaban e nënën Sherife,
me motrat dhe vëllezërit,
në aromën e tokës që njohu hapat e tyre të parë.
Unë s’kam jetuar këtu,
por e ndiej sikur e njoh çdo gur, çdo hije, çdo frymë që ka kaluar ndër degë.
Se në këtë oborr jeton pjesa më e butë e shpirtit të saj, ajo që s’ka nevojë për fjalë,
veç përkujtim të qetë.
Trëndafili rritet në heshtje,
si të dinte historinë më mirë se unë, si të më ftonte të përkulem pak, të ndiej aromën e vendit ku ajo është rritur,
dhe të falënderoj jetën
që më solli pranë kësaj goce të mirë, që ka rrënjë në dashuri.
Në oborrin e saj,
nën gjethet që zverdhen ngadalë,
jeta flet me zë të butë:
“Këtu kanë jetuar ata që e bënë shpirtin e saj kaq të bukur.”
