
Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Sa herë më zë malli,
degëzën time e përqafoj
me një pikë loti të nxehtë —
si të desha dikur një shpirt të largët.
Takimi im me lulet e gurëve
është një përjetim që s’shuhet.
Trëndafilat e shkëmbit më flasin,
me aromë që s’e prek era,
me qëndresë që s’e shuan koha.
Me gurin bisedoj si me një mik të gjakut tim;
ai më njeh pa fjalë,
më dëgjon kur hesht,
më mban kujtimet si plagë të fisnikëruara.
Jam i familjarizuar me heshtjen e tij,
me peshën e qëndrueshme të tokës,
me dritën që lind në plasaritjet e tij.
Sepse në çdo gur,
në çdo trëndafil që del nga shkëmbi,
unë gjej veten —
të fortë, të përvuajtur,
por gjithmonë të gjallë.
			
                                
			