Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Kjo fytyrë nuk është shenjë,
por udhëkryq i heshtjeve,
ku koha, si një pelegrin i lodhur,
zgjat dorën dhe gjen vetëm zbrazëti.
Rrudhat nuk janë shenja plakjeje,
por gjurmë të një udhëtimi të padukshëm,
si lumenj të tharë që ende kujtojnë
detin ku dikur derdheshin.
Sytë, dy qirinj që digjen njëkohësisht,
njëri ndez dritën e lindjes, tjetri fik zjarrin e mbrëmjes.
Në atë flakë të dyfishtë, shpirti dridhet,
si një zog që s’e di, nëse qielli është strehë apo humbje.
Mjekra e bardhë është mjegull,
ku shfaqen fytyra që nuk i njohim,
por që na shikojnë prej së largu,
si kujtime që nuk janë tonat,
por që na rëndojnë në krahë.
Buzët, kufiri i fundit.
Kur hapen, bota merr frymë,
kur heshtin, gjithçka kthehet në gur.
Aty fshihet sekreti i heshtjes:
se fjala nuk është e domosdoshme
për të treguar të vërtetën.
Dhe kështu, kjo fytyrë
mbetet një mister i përulur,
një shenjë që nuk shpjegon asgjë,
por që të detyron të ndalesh
si para një dritareje të mbyllur,
nga ku e ndien se dikush brenda sheh,
edhe pse ti nuk sheh dot asgjë.
Vetëm kështu …